Kryetari i ri i Komisionit Rregullator për Energjetikë , Aco Ristov, deklaroi se po analizohet metoda e llogaritjes së faturave të energjisë elektrike, e cila aktualisht bazohet në grupe të veçanta të konsumatorëve përmes bllok-tarifave. Sipas Ristov, po kërkohet një “zgjidhje më e drejtë” për pagesën e rrymës së shpenzuar, pasi ai konsideron se ka hapësirë për ndryshime, meqenëse qytetarët tani paguajnë çmime të ndryshme për të njëjtin produkt.
”Është e mundur të vendosim një model të ri, më të drejtë.
Është e padrejtë që e njëjta rrymë të paguhet me çmime të ndryshme. Nuk mund të ekzistojnë disa çmime për të njëjtin produkt. Do të shqyrtojmë përvojat e deritanishme dhe do të bëjmë analizë,” deklaroi Ristov.
Katër bllok-tarifat për energjinë elektrike në Maqedoni u vendosën nga qeveria e kaluar në vitin 2022. Qëllimi, siç u shpjegua atëherë, ishte mbrojtja dhe stimulimi i konsumatorëve të vegjël, amortizimi i goditjes së çmimeve nga kriza energjetike e asaj kohe dhe inkurajimi i kursimit.
Ekspertët: Do të përfitojnë të pasurit, do të goditen të varfrit
Sipas vlerësimeve të ekspertëve, energjia elektrike mund të shtrenjtohet drastikisht me ndryshimin e paralajmëruar. Më së shumti pritet të përfitojnë konsumatorët e mëdhenj, të cilët deri më tani paguanin çmimin më të lartë për kilovat-orë. Nga ana tjetër, kjo do të godiste familjet që shpenzojnë më pak rrymë, ndërsa më të rrezikuarit do të ishin pensionistët dhe personat që jetojnë vetëm.
Deniz Mustafaoglu nga Shoqata e Inxhinierëve të Energjetikës, në një deklaratë për TV “24”, thotë se deklarata e Ristov për heqjen e bllok-tarifave i duket e paargumentuar dhe dyshon se ky mendim ndahet nga anëtarët e tjerë të Komisionit.
”Kryetari i KRRE-së po përpiqet t’i bëjë qejfin EVN-së, që të mund të vazhdojë të lëshojë fatura që nuk janë reale me energjinë e shpenzuar. Ai dëshiron t’i thjeshtojë gjërat duke vendosur një çmim mesatar të rrymës. Kur bëmë vlerësimet, doli se do të kemi rrymë për 34 përqind më të shtrenjtë,” thotë Mustafaoglu.
Reagimi i partisë “E Majta” (Levica)
Partia “E Majta” konsideron se ndryshimet e propozuara do të godasin drejtpërdrejt qytetarët më të varfër. Sipas tyre, me heqjen e bllok-tarifave, energjia elektrike do të trajtohet si mall klasik tregu me çmim unik.
”Nëse KRRE merr një vendim të tillë, kjo do të jetë goditje direkte mbi më të varfrit. Sipas llogaritjeve, një familje që kursen rrymë dhe mbetet në bllokun e parë, do të paguante deri në një të tretën çmim më të lartë në nivel vjetor,” thonë nga kjo parti.
Partia gjithashtu akuzon se Ristov po vihet në shërbim të kapitalit privat dhe në anën e “EVN Home”. Në reagim theksohet gjithashtu se KRRE nuk i është qasur problemit të faturave pa lexim real të sahatit, as mundësisë për zgjerimin e tarifës së lirë.
