Shteti disponon me rezerva të naftës të mjaftueshme për më shumë se 60 ditë, dhe deri tani nuk është shfrytëzuar asnjë pjesë e tyre. Zëdhënësja e Qeverisë, Marija Miteva, në deklaratë për televizionin Alsat theksoi se gjendja aktualisht është stabile. Nëse ndodh përshkallëzim i konfliktit, do të ndërhyhet edhe me përdorimin e rezervave.
“Mund t’ju them me siguri se, sipas rezervave të parapara me ligj, janë siguruar sasi për ato 60 ditë që janë të parashikuara. Pres që si Qeveri të mund të përgjigjemi edhe në periudhën e ardhshme ndaj sfidave të mundshme me furnizimin me derivate të naftës. Si Qeveri dhe si institucione e ndjekim vazhdimisht gjendjen dhe besoj se, nëse do të vinte deri te një situatë e tillë hipotetikisht, do t’i shfrytëzonim të gjitha mundësitë me qëllim mbrojtjen e standardit jetësor të qytetarëve. Por për momentin nuk shohim një situatë të tillë.” – Marija Miteva, zëdhënëse e Qeverisë.
Sipas autoriteteve, për momentin nuk ka nevojë për sigurimin e depozitave shtesë të naftës.
“Mendoj se gjendja është vërtetë stabile dhe nuk ka nevojë për depozita shtesë. Mund të konfirmoj me siguri se ka rezerva edhe në tubacionin që lidh portin e Selanikut me rafinerinë OKTA, kështu që në këtë moment, si Qeveri dhe institucione përgjegjëse, kujdesemi për furnizim të rregullt dhe në kohë me derivate të naftës”. – Marija Miteva, zëdhënëse e Qeverisë.
Ndërkohë, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë ka lëshuar paralajmërim alarmues. Sipas tyre, bota po përballet me ndërprerjen më të madhe të furnizimit në histori. Sipas analizës së tyre, përshkallëzimi i konflikteve në Lindjen e Mesme dhe bllokada e Ngushticës së Hormuzit kërcënojnë të shkatërrojnë zinxhirët e furnizimit dhe të shkaktojnë mungesë karburanti në mbarë botën. Rezervat globale të naftës janë në rrugë për të arritur nivelin më të ulët në tetë vitet e fundit, ndërsa ritmi i shterimit të tyre po bëhet arsye serioze shqetësimi, pasi furnizimi përmes kësaj nyje kyçe mbetet i kufizuar ndjeshëm. /Alsat.mk
