BDI: Stoilkoviq vepron kundër shqipes, VLEN hesht

Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar ashpër ndaj veprimeve të ministrit për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive Etnike, Ivan Stoilkoviq, duke e akuzuar atë për sulm të drejtpërdrejtë institucional ndaj gjuhës shqipe. Reagimi vjen pasi, sipas BDI-së, me urdhër të Stoilkoviqit janë hequr mbishkrimet dhe shenjat identifikuese në gjuhën shqipe të Agjencisë për Zbatimin e Gjuhëve.

Nga BDI thonë se ky veprim përfaqëson vazhdim të politikave për dobësimin e përdorimit të gjuhës shqipe në institucionet shtetërore dhe e cilësojnë si pjesë të një plani të koordinuar për margjinalizimin e shqiptarëve në administratë.

Sipas partisë opozitare shqiptare, presionet ndaj administratës shqiptare dhe tentativat për largimin e Agjencisë për Zbatimin e Gjuhëve nga objektet aktuale kanë nisur që në ditët e para të formimit të Qeverisë, ndërsa tani, siç thonë ata, po kalohet në “akte konkrete të fshirjes së identitetit institucional shqiptar”.

Reagimi i plotë i BDI-së:

Bashkimi Demokratik për Integrim dënon ashpër veprimet skandaloze të ministrit Ivan Stoilkoviq, i cili ka urdhëruar heqjen e mbishkrimeve dhe shenjave identifikuese në gjuhën shqipe të Agjencisë për Zbatimin e Gjuhëve, duke vazhduar kështu sulmin e hapur institucional ndaj gjuhës shqipe.

Ndërsa Stoilkoviq vepron çdo ditë kundër pranisë së gjuhës shqipe në institucione, VLEN vazhdon të heshtë. Kjo heshtje nuk është më paaftësi politike, por bashkëpërgjegjësi dhe nënshtrim i plotë përballë politikave antishqiptare që po zbatohen brenda Qeverisë.

Pas presioneve ndaj administratës shqiptare dhe tentativave të vazhdueshme për largimin e Agjencisë për Zbatimin e Gjuhëve nga hapësirat ekzistuese, tani kanë filluar edhe aktet konkrete të fshirjes së identitetit institucional shqiptar, duke hequr tabelat dhe mbishkrimet në gjuhën shqipe nën arsyetimin qesharak të “renovimit”.

Që në ditët e para të formimit të kësaj qeverie ka ekzistuar vendim dhe plan i qartë për dëbimin e Agjencisë nga objekti ku funksionon. Sot po shihet qartë se ky ka qenë një projekt politik i koordinuar për dobësimin dhe margjinalizimin e zbatimit të gjuhës shqipe.

Më skandaloze është fakti se institucionet që duhet ta mbrojnë gjuhën shqipe drejtohen nga kuadro të VLEN-it, ndërsa ata nuk guxojnë të thonë asnjë fjalë përballë Stoilkoviqit. Asnjë reagim. Asnjë kundërshtim. Aspak dinjitet institucional.

I pyesim publikisht drejtuesit e VLEN-it:

Deri kur do të heshtni ndërsa hiqen mbishkrimet shqipe nga institucionet shtetërore?

A jeni në Qeveri për t’i mbrojtur shqiptarët apo vetëm për të ruajtur kolltukët tuaj?

BDI rikujton se gjatë qeverisjes së BDI-së, gjuha shqipe avancoi me vendime konkrete, me institucione funksionale dhe me dinjitet të garantuar institucional. Sot, shqiptarët po shohin kthim prapa, poshtërim dhe tentativa të hapura për ta larguar gjuhën shqipe nga institucionet shtetërore.

Gjuha shqipe nuk është dekor që hiqet sipas urdhrave të Stoilkoviqit dhe me heshtjen e VLEN-it. Ajo është kategori kushtetuese, e drejtë e fituar dhe vijë e kuqe që shqiptarët nuk do të lejojnë të preket.