200 mijë nënshkrime për UÇK-në: Kërkohet lirimi i ish-krerëve nga Haga

Në Gjykatën Speciale në Hagë janë dorëzuar 200 mijë nënshkrime në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së. Sipas kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, nënshkrimet nuk janë thjesht një peticion, por vullneti i pastër i një kombi që nuk e harron sakrificën. Ai ka uruar që gjatë kësaj vere ish-krerët e UÇK-së të kthehen në Kosovë. Gjykimi ndaj katërshes së UÇK-së ka nisur më 3 prill 2023 – gati tri vjet pas konfirmimit të aktakuzës prej kur ish-krerët e UÇK-së mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.

“200 mijë nënshkrimet tregojnë pafajësinë e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tregojnë se në këtë vend ka pasur një luftë të shenjtë dhe ka qenë një ushtri, e cila është përballur me forca çetnike paramilitare serbe, me ushtrinë dhe policinë e Serbisë ku ne kemi çliruar vendin. Këto 200 mijë shqiptarë tregojnë që këta burra janë të pafajshëm,” tha Hysni Gucati, Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së.