Në Strugë është realizuar një marrëveshje bashkëpunimi mes Shoqatës Humanitare Bamirëse “Nëna Terezë” – dega Strugë dhe Institutit për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, me qëllim dokumentimin dhe ruajtjen e dëshmive nga periudha e luftës 1998–1999.
Në ambientet e shoqatës u mirëpritën përfaqësuesit e lartë të Institutit: Drejtori Ekzekutiv Atdhe Hetemi, udhëheqësja e arkivit Kimete Haxholli dhe anëtari i Institutit Naser Kurti.
Kryetari i shoqatës, Jashar Pollozhani, duke folur për rëndësinë e takimit theksoi:
“Shoqata jonë, në bashkëpunim me OSCE-në, ka realizuar mbi 300 intervista me viktima dhe dëshmitarë okularë të shkeljeve të të drejtave të njeriut. Ky arkiv dëshmon se e vërteta mbetet hapi i parë dhe i pashmangshëm drejt drejtësisë.”
Sipas marrëveshjes së nënshkruar, bashkëpunimi do të zhvillohet në dy faza kryesore: sistematizimi i plotë i dokumenteve që lidhen me Kosovën për periudhën 1990–2000 dhe dorëzimi i arkivit në pronësi të Institutit për Krimet e Luftës në Kosovë.
Nga të dy palët u theksua se ky proces ka për qëllim ruajtjen institucionale të kujtesës historike dhe garantimin që dëshmitë e mbledhura të mbeten pjesë e dokumentimit zyrtar të historisë.
