Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, së bashku me drejtorin e Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, Koce Trajanovski, mbrëmë vonë kanë kryer inspektim në punimet ndërtimore në autostradën Ohër–Kërçovë. Nikolloski informoi se nga nesër në përdorim vihet nyja rrugore Trebenishtë, duke përmbyllur kështu edhe një segment të rëndësishëm të kësaj autostrade.
“Në autostradën Ohër–Kërçovë punohet edhe në orët e vona të natës, duke pasur parasysh kushtet e favorshme atmosferike. Me këtë po e konfirmojmë vendosmërinë dhe përkushtimin tonë për ta përfunduar autostradën brenda afatit të paraparë”, ka deklaruar Nikolloski.
Ai theksoi se paralelisht po punohet edhe në rrugët dytësore që më herët nuk kanë qenë të parashikuara, me qëllim sigurimin e lidhjes së të gjitha vendbanimeve në rajon. “Kur ka qëllim të qartë, koordinim të fortë dhe vullnet – rezultatet janë të pashmangshme. Po tregojmë vazhdimësi dhe përgjegjësi në realizimin e projekteve kapitale me rëndësi strategjike për shtetin”, u shpreh Nikolloski.
Nga Ministria e Transportit bëjnë të ditur se ndërtimi i autostradës Ohër–Kërçovë vazhdon me dinamikë të përforcuar, me qëllim përfundimin e saj të plotë brenda afatit të paraparë.
