Prokuroria me 1.400 prova materiale për Koçanin, do të prezantojë foto, video dhe dokumente

Me raportet nga autopsitë e viktimave të zjarrit në diskotekën “Pulse”, gjykimi për tragjedinë në Koçan nesër do të hyjë në fazë të re. Pas mbarimit të provave verbale, Prokuroria do të fillojë me nxjerrjen e provave materiale të cilat në total janë 1.400. Organi i akuzës do të prezantojë dokumente, video dhe fotografi të cilat do ta mbushin mozaikun e teorisë së rastit në bazë të së cilës bazohet akuza kundër 35 personave, raporton Alsat.

Në një takim me gazetarët, prokurorët e çështjes sot shpjeguan që më pas do të vazhdojnë me të gjitha aspektet tjera të akuzës, me të cilat sipas tyre do të konfirmohet që zjarri nuk është arsyeja e vetme e vdekjes të 63 personave dhe lëndimit të mbi 200 personave, por janë edhe gazrat, ambienti i stërmbushur dhe pamundësia e evakuimit të personave. Sipas tyre, tragjedia nuk është rast i veçantë, por pasojë e mosveprimit të të gjitha institucioneve kompetente të cilat kanë pasur për detyrë të intervenojnë në mënyrë parandaluese e të cilën nuk e kanë bërë.

Prokuroria theksoi që do të japin shpjegim për çdo provë, ndërsa do të mbajnë llogari për efikasitetin e gjykimit. Për shembull gjatë prezantimit të video-materialeve, do të propozohet që të shihen vetëm sekuencat të cilat shpjegojnë rrethanë të caktuar dhe jo i tërë materiali edhe pse si dëshmi tërësisht do t’u dorëzohet mbrojtjes për shqyrtim.

Ndërkohë jozyrtarisht, avokatët e të akuzuarve pritet që të propozojnë në tërësi mbi 400 dëshmitarë, e cila ngre shqetësim për stërzgjatje të gjithë procesit gjyqësor.

Nga Prokuroria theksojnë nevojën që Gjykata të mbajë llogari nëse mbrojtja tenton të zvarrit procesin gjyqësor. Të pyetur konkretisht se sa mund të zgjatë gjykimi, organi i akuzës nuk ka një përgjigje konkrete, nën arsyetimin se nuk varet gjithçka nga ata, por edhe nga mbrojtja e të akuzuarve dhe gjykata.

Harku kohor që përfshin akuzën për “Vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme” sipas nenit 292, është prej vitit 2012 kur është hapur diskoteka e deri në natën kur është shkrumbuar më 16 mars të vitit 2025. Dënimi për këtë vepër mund të arrijë deri në 20 vjet burg. Jashtë kësaj lënde, është ngritur akuzë kundër 23 zyrtarëve policorë, ndërsa është hapur hetim kundër 11 të punësuarve në Drejtorinë e të Ardhurave Publike.