Buka për momentin mbetet me të njëjtin çmim

Nuk do të ketë rritje të çmimit të bukës. Ky është epilogu i takimi mes autoriteteve dhe përfaqësuesve të industrisë së furrtarisë dhe mullisëve.

“Rritja e çmimit të naftës dhe e produkteve me të cilat përgatitet brumi ka bërë, që furrtarët të mendojnë nëse do të jetë e nevojshme edhe rritja e çmimit të bukës. Për momentin, buka shitet me çmim prej 35 denarësh, por në disa qytete të pjesës lindore të vendit, e njëjta tashmë shitet për 40 denarë”

Nga Ministria e Ekonomisë theksojnë se në takimin e sotëm është konstatuar se çmimet e bukës dhe të produkteve të tjera, në pjesën më të madhe kanë qenë stabile dhe të pandryshuara, si dhe se në periudhën e ardhshme nuk pritet rritja e tyre.

“Jemi të vetëdijshëm për presionet me të cilat përballet industria, veçanërisht për shkak të rritjes së kostove të energjisë, dhe për këtë arsye nuk do të ndërhyhet pa nevojë reale. Megjithatë, nëse konstatohet rritje e paarsyeshme e çmimeve, do të ndërmerren masa të duhura për mbrojtjen e standardit të qytetarëve”, deklaruan nga Ministria e Ekonomisë.

  • Masa të duhura nëse konstatohet rritje e paarsyeshme e çmimeve

Nga LSDM thonë se kryeministri Hristijan Mickoski, çdo ditë i gënjen qytetarët se Qeveria po monitoron diçka, dhe pyesin se sa duhet të shtrenjtohet buka që pushteti të ndërmarrë masa.

“Ne paralajmëruam se kjo rritja e çmimit të naftës do të tërheqë dhe do të shkaktojë rritje të çmimeve të të gjitha produkteve ushqimore bazë. Dhe kjo ndodhi. Po shtrenjtohet buka, tashmë janë shtrenjtuar vaji, vezët, qumështi, specat, domatet, frutat… Rritjet lëvizin nga 5% deri në 300% te frutat dhe perimet. Qytetarët mezi po ia dalin ta përfundojnë muajin. Çdo shkuarje në market është shok i ri”, thanë nga LSDM.

  • Rritja e çmimit të naftës tërheq rritje të çmimit të bukës, vajit, vezëve, qumështit, specave, domateve, frutave
  • Qytetarët mezi ia dalin ta mbyllin muajin.

Nga LSDM alarmojnë se as 600 euro nuk janë të mjaftueshme që qytetarët ta tejkalojnë krizën, ndërsa rritja aktuale e pagës minimale për 1.667 denarë nuk ka vlerë. Sipas tyre, me rritjen e pagave qytetarët mund të blejnë vetëm 2 kilogramë domate, kastraveca, një tabëll vezë dhe katër litra karburant./Alsat.mk.