Vazhdon beteja me zjarret, thirrje bujqëve që të paraqesin dëmet

Dëmet materiale që janë shkaktuar nga zjarret janë të shumta. Nga një janari e deri në fund të muajit maj dëmet llogariten mbi 25 milion denarë ndërsa janë djegur mbi 500 hektarë pyje. Vetëm në muajin qershor janë djegur mbi 380 hektarë pyje.

Sipas informatave të siguruara për Alsat, nga Ndërmarrjes Publike Pyjet Nacionale, vetëm në muajit korrik, ka pasur më shumë zjarre se në gjashtë muajt e fundit të këtij viti dhe atë mbi 50 zjarre në të gjithë territorin. Sa i përket dëmeve të shkaktuara nga zjarret në muajin korrik dhe gusht, për shkak të vazhdueshmërisë së zjarreve ende po bëhen analiza për të konstatuar dëmet.

Nga këto zjarre nuk kanë shpëtuar as dëmet në të mbjellat bujqësore. Sipas ministrit të bujqësisë Cvetan Tripunoski, të gjitha dëmet që janë shkaktuar nga fatkeqësitë natyrore përfshirë edhe zjarret, bujqit duhet t’i paraqesin në komunat e tyre dhe sa më shpejtë që komunat të bëje elaboratin, aq më shpejtë do të vendoset në procedurë qeveritare për dëmshpërblim të dëmeve.

“Të gjitha dëmet që janë shkaktuar nga fatkeqësitë natyrore, sipas ligjit, është detyrë e komunave të beje elaborat për të vlerësuar dëmet, pra të beje thirrje dhe të paraqiten dëmet, dhe më pas ai elaborat i komunave dorëzohet në komisionin e shkallës së dytë për vlerësimin e dëmit. Në muajt e kaluar kishim edhe ngrica pranverore, pra komisionin punon në vazhdueshmëri me qellim që të behet pagesa e kompensimit por detyrim është i qeverisjes lokale që sa më shpejtë të bëje elaboratin aq më shpejtë do të vendoset në procedurë qeveritare për dëmshpërblim të këtyre kulturave”, deklaroi Cvetan Tripunoski – Ministër i bujqësisë.

Sa i përket zjarreve aktive sot, nga Qendra për Menaxhim me Kriza, njoftojnë se në 24 orët e fundit kemi 19 zjarre në hapësirë të hapur, nga të cilët 11 janë shuar, ndërsa tetë zjarre vazhdojnë të jenë aktiv.

Sipas drejtorit të Drejtorisë për mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angelov, zjarri në Jasen kërcënoi sot disa objekte të Ndërmarrjes Publike Jasen, por me një veprim të shpejtë, me disa automjete, zjarri u lokalizua pranë vetë objekteve.

“Lufta me zjarrin në vend gjuetinë Jasen, edhe më tëj vazhdon. Pak më parë shpërtheu një tym i fortë i dendur pas vendit ku ndodhen disa objekte të Ndërmarrjes Publike. Tym i zi dhe flakë të larta por këtu është vendosur mbrojtje dhe nuk do të lejojmë që zjarri të vije këndej por terreni nuk lejon që të ndërhyjmë sepse bëhet fjalë për terren të pjerrtë dhe pyll i shpeshtë”, tha Stojançe Angelov – Drejtor i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim.

Përveç zjarrit në Jasen, vatra zjarri ka edhe në Komunën e Strugës, në Komunën e Prilepit, në Komunën e Makedonski Brod, në Komunën e Çeshinovës-Obleshevës, në Komunën e Jegunovcës dhe në Komunën e Sopishtës. /Alsat.mk