FESTA E SHËNGJERGJIT TE SHQIPTARET E MAEDONISEShëngjergji kremtohet më 6 maj. Edhe për këtë festë përgatitjet fillojnë një ditë përpara,më 5 maj sipas kalendarit gregorian. Kjo festë është mjaft e pasur me rite,formula magjike dhe këngë popullore. Prej kohësh është vënë në dukje se thelbi i teksteve poetike për shëngjergjin, shëngjinin, për llazoret etj.,lidhet me rite parakristiane se prapa shenjtorëve të krishterë fshihen hyjni pagane (Çabej,1975:200). Polifunksionaliteti i hyjnisë së kryehershme që më vonë ka marrë emrin shëngjergj del në pah edhe në këto vargje:,,O shëngjergj i mushtullu,/Njishti motmot m’gjeç martu./Sa ky li,/Të bahen flokët e mi!(Papleka,1999:12). Shëngjergji në fshatrat e Tetovës dhe të Gostivarit është kremte më e hareshme dhe më masive e vitit,kjo shihet nga ritet dhe këngët e shumta,për nga numri, në këto treva,që i kushtohen kësaj feste. Ndër popullsinë shqiptare të Kosovës,Maqedonisë,Malit të Zi,Jabllanicës së Epërme,Preshevës etj.,shëngjergji është festa pranverore më e përhapur dhe në shumë pika përputhet me ditën e verës,madje në disa nga këto treva edhe identifikohen,duke u shkrirë dita e verës në shëngjergj (Pllana,2004:43).Dita e shëngjergjit llogaritet si festa më e madhe pranverore të cilën e festojnë jo vetëm kristianët por edhe të gjithë banorët e Maqedonisë, që në anën tjetër do të thotë se bazë e kësaj është festimi i natyrës, i përtëritjes së vegjetacionit dhe të jetës në përgjithësi (Kitevski,2001:140).Në të gjitha fshatrat ku banojnë shqiptarët e Maqedonisë ka vende të caktuara se ku i mbledhin lulet,por është e pamundur t’i dimë dhe t’i përmendim të gjitha këto toponime. Në këto festa vajzat maqedonase, ashtu si edhe vajzat shqiptare,bënin kurora me ngjitësa, filiza shelgu etј.,dhe i vinin në krye për largimin e dhimbjeve dhe për shëndet (Neziri,1997:39). Ditën e luleve fëmijët, por, në disa vende edhe të rinjtë e të rejat, shkojnë për kukurakë,degë thane,degë shelgu,degë dushku etj.,përveç këtyre ata mbledhin edhe qumështorka. Në Gostivar i quajnë ,,lule mutejni”. Lulet e mutejnit zakonisht rriten përreth përroskave dhe kur i këpusin,nxjerrin një lëng të trashë e të bardhë (Osmani,1997:84). Lëngu i qumështorkave është iritues, sidomos për pjesët e ndjeshme të lëkurës,prandaj këputen me kujdes. Qumështorkat njihen edhe me emrin ,,lule gjarpri”. Me këto lule të cilat lëshojnë këtë lëng të bardhë si qumështi në trevat e Strugës dhe të Gostivarit e stolisin ftirin me qëllim që gjatë vitit të ketë sa më shumëqumësht. Në fshatin Shipkovicë vajzat e reja gjatë mbledhjes së luleve, të gëzuara për festën që po vjen, këndojnë:Lumë ne,të lumët,Xhi na erdhi shinxherxhi,Ka zbilue mali,ka çelun xhethi,O shinxherxh,sa i mejri konke,Qefin t’rejave va bone.Dë shkojna për lule nëpër ara,Dë t’i mbushim krejët me kolara.(Osmani,1997:68)Në fshatin Brodec të Tetovës vajzat këndojnë duke e thurur kurorën e tundësit:Ditën e luleve,dulëm me lulue,Bashk me shoçet dulëm me këndue,Rrethin ptejnit me ja mbarue.(Osmani,1997:69)Edhe për festën e shëngjergjit me lulet e mbledhura stolisin shtëpinë. Ymrie Shaqiri nga Frëngova kujton:,,ditën e shëngjergjit nëna ime por edhe vjerra,në kokë vinjin një plloçë prej gjeramide dhe përsipra asaj vinjin një gur që të shtillet (mblidhet) gjalpi”. Po kështu në Veshallë,amvisa ditën e shëngjergjit del në rrugë dhe kërkon dy gurëz të rrumbullakët dhe të bardhë në formë më të bukur. Gurëzit i vendos te burimi i fshatit duke thënë tri herë:,,Me nijet t’Allahut tëm bahet e tundmja e tlinit,e madhe,t’rredhe tomli si ujti!”(Osmani,1997:83).Për shëngjergj viçat nuk i ndajnë nga lopët,i lënë lëshuar, sepse në këtë ditë bëjnë magji që t’i ndjellin qumështin bagëtive. Prandaj lulet e mbledhura, një ditë më parë, zonja e shtëpisë i grinë dhe i përzien me krunde,kripë,vezë dhe kërmij të dërmuar,ua japin kafshëve t’i hanë,pasi t’i ketë fryrë te ndonjë besimtar apo t’i ketë bërë duanë hoxha i fshatit,me qëllim që të mos sëmuren dhe të mos marrin mësysh gjatë vitit. Prandaj,në Jazhincë gjatë mbledhjes së barishteve, me të cilat stolisin ftirin, vajzat nëpërmjet vargjeve recitative mallkojnë:Koush bon mënxhi,Mbet me dorë në xhi!Kush bon për dhejt,(dhitë)Ju çërofshin sejt!Kush bon për dhent,I dalshin mendt!Kush bon për lopët,I pjekshin fjokët!(Osmani,1997:82)Ritet dhe disa këngë të shëngjergjit ndjellin gjelbërim mbarësi,shëndet dhe pjellori. Ja një shembull nga Reka e Epërme:Exhi,mori exhi,se na vjen shynzherzhi,Shynzherzhi ke dera,me dhen e me shqera,E me nuse t’reja,oooih!Shynzherzhi ke shpija,Dë na gzohen nuset e fmija,oooih!etj.(Osmani,1997:63)Në fshatin Gurgurnicë të Tetovës ditën e shëngjergjit rrogëtarit të bagëtive i gatuhet ,,bukë shëngjergji” e cila sipri zbukurohet me lule të bukura të stinës (Osmani,1997:81). Ditën e shëngjergjit zonja e shtëpisë,lopëve u lidh te brirët dhe te bishti nga një leckë të zezë,ndërsa në disa vende edhe pe të kuq. Kurse në fshatin Novo Sellë të Sharrit, nuskat u vihen kafshëve shtëpiake (lopëve) në ditën e shëngjergjit. Çdo e fejuar e di sa lopë ka i fejuari dhe aq nuska do të dërgojë në familjen e të fejuarit. E fejuara i bën nuskat prej kindit të zi me të cilin fshihen çerepët. Në të mbështjell disa thëngjij dhe i bën në formë hajmalie. Sipër nuskën e zbukuron me motivin e diellit të bërë me rruza speciale të blera. Në motiv mbizotërojnë ngjyrat:e verdhë,e bardhë,e kaltër ndërsa rreth e përqark ngjyra e portokallit (Osmani,1997:74). Të gjitha këto veprime magjike-religjioze bëhen me qëllim që kafshët shtëpiake të mos marrin mësysh.Më 5 maj fillon edhe riti i larjes së fëmijëve me lule. Në mbrëmje fëmijët shkojnë të marrin ujë me shtamba dhe kova te jazi i mullirit. Tek enët e mbushura me ujë shtiejnë lule dhe gjethe. Në mulli shkojnë vajza e djem të cilëve u ka kaluar mosha për martesë. Ata hipin një nga një mbi gur të mullirit,ndërsa një grua e rrotullon gurin tre herë duke shqiptuar formula magjike me qëllim që t’i dalë fati. Kurse vajzat e fejuara shprehin dëshirën që shëngjergji i ardhshëm t’i gjejë me dimia-të martuara:Oj Hanife honëm-me jelek të keç,Luj,e mejr-o,ene kët shinxherxh.Ene kët shinxherxh nëpër hije,Në shinxherxhin qetër me santije (dimia)(Osmani,1997:71).Te guri i mullirit shkojnë pothuaj njerëz të të gjitha moshave dhe rrotullohen për shëndet. Këtë ditë (5 maj) vajzat presin një degë hardhie nga pjergulla. Lëngun që e lëshon hardhia e shtien në një enë të vogël dhe e lënë të rri tërë natën. Riti i prerjes së flokëve dhe riti i larjes së fëmijëve me lule do të fillojë ditën e shëngjergjit. Me ujin e fjetur e lajnë fytyrën edhe të rriturit. Fëmijët lahen te rrënja e trëndafilit me ujin i cili ka fjetur me lule e gjethe. Nëna apo ndonjë grua tjetër e familjes duke e larë fëmijën thotë tri herë:,,Uji teposhtë N.terma”. Në Derven të Shkupit edhe lëvozhgat e vezëve, kanë një rol të cakutar magjik. Ato nuk hidhen, por ruhen me kujdes, në një vend të sigurtë, deri në ditën e shëngjergjit kur përdoren sërish, përkatësisht futen në ujin me të cilin lahen fëmijët. Kjo flet se funksioni i lëvozhgave, në rastin tonë konkret, është i destinuar për ndjelljen e shëndetit dhe për një ,,rilindje” të re pasi që edhe dita e shëngjergjit paraqet kohën – kufi midis dy cikleve kryesore kalendarike (Murtezani,2001:51). Ditën e shëngjergjit vajzat pa lindur dielli shkojnë te rrënja e plepit apo te rrënja e ndonjë peme tjetër që t’i presin flokët pasi t’i kenë lyer melëngun e hardhisë. Përderisa kryhet ky rit vajzat këmbët i mbajnë në ujë. Në të kaluarën i prisnin me sëpatë,kurse sot me gërshërë. Në trevën e Strugës gjatë ritit të prerjes së flokëve zhvillohet ky dialog:-Oj Lirie,ç’bon ashtu?-I pres flokët.-Mos i pre se nuk të rriten!-Dë t’i pres që të më rriten.(Tregoi:Sherife Asani)Kurse në Sellcë të Tetovës me këtë rast vajzat thonë:T’na rejten fjokët si tërkuza,T’rasha si perajka,Si hec uji,t’na hec shneti,Të m’rejten fjokët sa nji duj.(Osmani,1997:69)Flokët e prera i hedhin në lumë me qëllim që rritja e tyre të ecë si lumi,t’u rriten shpejtë dhe t’u bëhen të gjata si hardhia. Pasi i presin flokët,fillon kullotja e tyre. Vajzat shkojnë nëpër lëndina e livadhe të rrokullisen,duke u rrotulluar ato këndojnë këngë të ndryshme. Po,kënga më e njohur që këndohet nga vajzat gjatë kullotjes së flokëve nëpër bar me vesë është:Maj,maj,kokomaj,Rritmi flokët,Sa t’i mbaj.Për një jav,Sa një stav.Për një muëj,Sa një duëj.Për një vjet,Sa një plep.Sa pragu i derës,Sa bishti i pelës,Sa qimja e kalit,Sa purtek’ e malit,Sa udh’ e pazarit!(Asani,1996:14)Vajzat e Cërnilishtit të Prilepit i drejtohen hënës duke kënduar:‘Anxa e reSa ni palareRaitmi flokëtNer përdhe.(Ibrahimi,2003:31)Pas rrokullisjes vajzat marrin disa kashta thekri dhe i lidhin për beli me qëllim që të rriten të gjata si thekri dhe të bëhen belholla.Edhe në Gradec të Gostivarit vajzat përpiqen të gjejnë arë të mbjellë me grurë, tërshërë e thekër. Ulen mbi të dhe vënë kokën (flokët) mbi bimët duke thënë:,,Si rrejtet gruni,ashtu m’u rrejtshin fjokët!”,,T’ëm rrejten fjokët sa thekni,sa tërshona,sa gruni!”(Osmani,1997:80). Pastaj i lëshojnë flokët e në to varin penj të zinj me copa kungulli të egër dhe thelpinj hudhre (Osmani,1997:80),besohet se këto do të ndikojnë në rritjen e flokëve.Ditën e luleve apo ditën e arifesë më 5 maj në mbrëmje fëmijët marrin nga një degë plepi dhe e prekin njëri-tjetrin me të në rrugë si dhe kalimtarët e rastit,pastaj degën e plepit e ngrejnë lart duke thënë:,,U rriç sa plepi!”. Me degët e plepit preken edhe anëtarët e tjerë të familjes,me të rrihen edhe kafshët e shtëpisë,për të përfytyruar fuqinë edhe shëndetin (Çabej,1975:200). Në disa vende degët e plepit i lagin me ujë,pastaj i stërpikin anëtarët e familjes, si dhe kafshët shtëpiake.Ditën e shëngjergjit në mëngjes herët nëna shkon te fëmijët dhe u shtie në gojë hudhër me qëllim që të mos i mund gomari,në disa vende një lugë kos që të mos i mund qyqja, kurse në vende të tjera i shtien në gojë thelpinj arre me qëllim që të bëhen të fortë si arra.Në Reçan të Gostivarit dhe në disa fshatra të Rekës së Epërme, natën e shëngjergjit ndezin zjarre purifikuese.Po në këto treva shëngjergji veçanërisht për vajzat,nuset dhe gratë përfaqëson jo vetëm harenë që sjell stina e re e punës,por edhe momentin (ditën) e një takimi të rrallë e të gëzuar të botës femërore (Osmani, 1997:68). Ditën e shëngjergjit vajzat dhe nuset vishen me tesha të reja. Vajzat shëtitin në grupe rrugicave të fshatit dhe luajnë lojëra të ndryshme popullore.Sot o ditë shinxherxhi nuk punohet,As lule tentene nuk mbarohet,S’mbarohet tentene se grashajtet,Sot o ditë motmoti sall shatajtet(Krosi,1984:15)Këtë ditë ato koloviten me litarë. Të gjithë popujt e Ballkanit-shqiptarët,grekët,sllavët e rumunët kanë pasur zakon të ngrinin ditën e shëngjergjit shtregullat (lëkundëset,shilarësit,kunën). Lëkundjet në shtregull,si një rit magjik për bollëk shëndet dhe largimin e dëmtuesve të bujqësisë,blegtorisë e njerëzve,kanë qenë dokumentuar në gjetjet arkeologjike të Ballkanit që në periudhën parahelene (Neziri,1997:39). Litarët zakonisht i varin nëpër degët e pemëve si te molla,qershia,mani,dardha etj. Te trarët e shtëpisë apo të kasollës nuk i lidhin, sepse mos ,,thahen” si trari. Megjithatë në këngë përmendet emri tra. Si duket kënga do të jetë e vonshme, atëherë kur kanë filluar litarin ta lidhin edhe në tra. Duke u kolovitur këndojnë këngë të ndryshme. Në të kaluarën shilarja ka pasur karakter ritual,ndërsa sot ka vetëm karakter argëtues. Vajzat kënaqen duke u kolovitur e duke kënduar:Ja,një tra,Ja,dy tra,Kët’ Zelien-Dë te ha.Dë te marr,Opa-opa,Dë te boj,Copa-copa-Dë te shtieNëpër gropa.(Asani,1996:22)Në këngë inicuesja nuk do ta bëjë ,,copa-copa”,apo nuk do ta shtie të inicuarën në gropë,por ,,sëmundjen,të keqen” që ka pasur ajo. Në lashtësi besohej se me anë të kësaj praktike magjiko-religjioze njeriu mund të hynte në kontakt me Zotin e Qiellit a me forca të tjera të mbinatyrshme (Papleka,1999:91). Ditën e shëngjergjit përgatitet drekë e begatshme,kurse jevgjit therin qengja për kurban,për ta është festa më e hareshme e kryemotit.