Disa njerëz janë parë duke dalë prej korridoreve të zymta të burgjeve të Sirisë, sikurse mumie të ngritura nga varri.
Disave u është kthyer vetëdija vetëm pasi janë ribashkuar me familjarë që nuk i kanë parë një kohë të gjatë. Disa janë parë duke qarë nga gëzimi pasi janë liruar prej një institucioni që është njohur gjerësisht si “thertore e njerëzve”.
Rënia e regjimit të diktatorit Bashar al-Assad e ka hapur Kutinë e Pandorës, pasi prej burgjeve të Sirisë kanë dalë rrëfime drithëruese.
Kush është udhëheqësi militant sirian që rrëzoi Assadin?
Zona A e burgut Sajdnaja, kompleks i mbikëqyrur nga ushtria në veri të Damaskut, është pjesë ku mijëra njerëz janë mbajtur, torturuar dhe ekzekutuar ndër vite.
Në periudhën 2011-2018, më shumë se 30.000 njerëz janë ekzekutuar apo kanë vdekur nga uria, neglizhenca e mjekëve, apo tortura, sipas vlerësimeve të Vëzhguesit Sirin për të Drejta të Njeriut, organizatë me bazë në Londër.
Sajdnaja – i njohur edhe si Sednaja – ka qenë padyshim një krijim sirian, me qëllim të burgosjes dhe ndëshkimit të ekstremistëve islamistë në fillim, e më pas të burgosurve politikë apo secilit që është parë si kërcënim për regjimin, ka thënë Philip Luther, udhëheqës i hulumtimeve në organizatën ndërkombëtare, Amnesty International.
Prej ikjes së Assadit nga shteti në fundjavë, aktivistët janë nisur drejt burgjeve me vrap për t’ua hapur dyert, dhe kanë liruar njerëz që janë mbajtur aty për dekada.
“Thënë shkurt, nuk kam njohuri që operacioni i Sajdnajas ka pasur udhëzime apo është inspiruar nga subjekte të jashtme sikurse Irani apo Rusia”, ka thënë Luther për Radion Evropa e Lirë.
“Operacioni i burgut duket se u ka shërbyer objektivave të sigurisë së autoriteteve siriane”.
Disa orë pas thyerjes së dyerve të burgjeve, mijëra njerëz kanë dalë prej objekteve.
Në disa video të verifikuara nga Radio Evropa e Lirë, janë parë njerëz, që duket se janë rebelë apo kryengritës, në kërkim të dosjeve administrative, derisa shumë të tjerë duke vrapuar nëpër korridore duke u gëzuar për lirimin e të burgosurve.
Disa burra tjerë janë parë të habitur dhe të fshehur nëpër ambiente të burgjeve, pa qenë në dijeni se janë liruar.
“Mos u frikësoni! Regjimi ka rënë! Mos u frikësoni! Jeni të lirë!”, dëgjohet duket thënë një njeri në një tjetër video të verifikuar nga Radio Evropa e Lirë.
Riyad Avlar, që ka qenë për 12 vjet në burg dhe tani është bashkëthemelues i Asociacionit të të Burgosuve dhe Zhdukurve në burgun Sednaja – organizatë me seli në Turqi – e ka krahasuar burgun me atë që ka dëgjuar për burgjet në Korenë e Veriut.
“Njerëzit duhet të kuptojnë që regjimi i Assadit ka qenë sikurse i Hitlerit, sikurse nazistët. Po aq i keq”, ka thënë Avlar për Radion Evropa e Lirë.
