Zgjedhjet 2024/ Nisi distribuimi i materialit zgjedhor – 3.6 milionë fletëvotime për zgjedhjet e dyfishta!

Nga shtypshkronja “Kiro Dandaro” në Manastir nisi distribuimi i materialit zgjedhor nëpër komisionet zgjedhore. Për zgjedhjet e dyfishta të 8 majit, janë distribuar 3.6 milionë fletëvotime.

Kryetari i KSHZ-së, Aleksandar Dashtevski, thotë se me sukses kanë përfunduar përgatitjet për zgjedhjet e 8 majit.

“Gjithçka përfundoi me sukses. Tani mbetet vetëm që të dëshirojmë fat për rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale dhe zgjedhjeve të rregullta parlamentare, pasi na ndajnë vetëm disa ditë. Tashmë në mënyrë shumë më efikase e distribuojmë materialin e besueshëm zgjedhor”, tha Aleksandar Dashtevski.

Kanë votuar 140 anëtarët e këshillave zgjedhore që shkojnë nëpër përfaqësitë diplomatiko-konsulare për t`i zbatuar zgjedhjet në diasporë.

Diaspora do të votojë vetëm për presidentin, për shkak se nuk pati interesim për zgjedhjet parlamentare. Por, të gjithë ata që do të vijnë në ditën e zgjedhjeve, mund ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës.

Në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, 1.814.317 qytetarë kanë të drejtë të votojnë për njërin nga dy kandidatët.

Për zgjedhjet parlamentare, 17 parti dhe koalicioni dorëzuan lista të kandidatëve, ku të drejtë vote kanë 1.815.350 qytetarë.

Zgjedhjet e dyfishta të 8 majit do të ndiqen nga 1.800 monitorues nga vendi dhe të huaj./tvklan.mk