Trajneri Shpëtim Duro flet pas fitores ndaj Makedonija GJ.P

Fitore e merituar, por që duheshe ta zgjidhnim shumë më herët ndeshje, bazuar në rastet që i krijuam para portës kundërshtare. Kështu thotë trajneri Shpëtim Duro, që nga ekipi kërkon angazhim maksimal në 5 xhirot e fundit, ku edhe do të vendoset fati i titullit kampion….

Makedonija GJ.P i takon së kaluarës, pasi përballë tyre morrëm tre pikët e planifikuara që na mbajnë ende në pozitën e parë. Fitorja e së dielës në Shkup, fiton edhe më shumë në peshë, kjo për faktin se dy rivalët kryesor u ndalën nga kundërshtarët e tyre, ashtu që tashmë në fazën finale të kampionatit futemi me 3 pikë epërsi ndaj vendit të dytë që mbahet nga FC Shkupi dhe plotë 6 pikë nga vendi i tretë që mbahet nga Shkëndija e Tetovës.

“Fitore e merituar, por që duhej ta zgjidhnim më shpejtë ndeshjen, pas gjithë atyre rasteve të krijuara që kishim. Besoj se ishte kjo java e jonë dhe patjetër që jam i kënaqur me lojën e skuadrës, por edhe rezultatin, pasi në fund e rëndësishme ishte që morrëm tre pikët” – u shpreh fillimisht Shpëtim Duro, pas fitores minimale 1:0 ndaj Makedonija GJ.P në Shkup.

Strategu ynë kërkon angazhim maksimal nga gjithë lojtarët në këto 5 xhirot e fundit, ku neve futemi me 3 pikë epërsi ndaj FC Shkupit të vendit të dytë. Pikërisht ndaj këtij kundërshtari, do të zhvillojmë edhe ndeshjen e fundit të këtij edicioni si vendas me datë 19 maj.

“Janë 5 javë dhe duhet vlerësim maksimal për çdo kundërshtarë. Ndeshjet do ti marrim një nga një, pasi në futbollin e sotëm nuk ka kundërshtarë të fortë, apo edhe të lehtë. Më së miri këtë e dëshmuan dy ndeshjet paraprake ndaj Vardarit dhe Bregallnicës, ashtu që jam i lumtur që ato dy rezultate nuk ndikuan negativisht te ekipi, që u përgjigjë në mënyrën më të mirë të mundshme, kundër Makedonija GJ.P. Nëse luajmë me një ritëm të tillë deri në fund të kampionatit, duke diktuar tempo dhe duke krijuar raste, besoj se mund të përsërisim suksesin e vitit të kaluar” –përfundoi Shpëtim Duro, i cili dje regjistroi fitoren e 27-të në ndeshjen e tij të 39 në krye të Struga Trim Lum në ndeshjet e Ligës së Parë.

Javën që vjen, Struga Trim Lum me Shpëtim Duron, do të mirëpresin Sileksin.