Besimi: Deri në vitin 2028 paga mesatare 900-1000 euro

Fronti Europian prezantoi Programin për mandatin e ardhshëm 2024/28. Oferta quhet Europa 2030, e që, siç tregoi Fatmir Besimi, bazohet në tre shtylla: Një kryeministër për të gjithë, jo Rusisë po Europës dhe marrëveshja e konsensusit ekonomik. Besimi tha se Maqedonia e Veriut do të jetë një shtet për të gjithë, në partneritet strategjik me SHBA-në.

“Kemi prioritetin e ekonomisë transformuese dhe transformim digjital, kemi rritje të përshpejtuar ekonomike e cila parashihet që në periudhën 2024-28 të arrihet 5% gjatë kësaj periudhe rritje vjetore ekonomike. Me këtë do të thyhet barriera psikologjike për rritje ekonomike të vendit mbi 5%. Çmime stabile dhe inflacion 2%, investimet në ekonomi duhet të rriten për 10% në nivel vjetor që në të kaluarën ka qenë 6%”, theksoi Fatmir Besimi, Fronti Europian.

Besimi thotë që paga neto-mesatare deri në vitin 2028 do të arrijë 900-1000 euro, që nënkupton rritje prej 8% për çdo vit.

“Buxhet transparent zhvillimor dhe konsesnual, rritje e shpenzimeve kapitale nga 733 milionë në vitin 2024 dhe 1.1 miliard euro në vitin 2028, euro po flas. Në vitin 2020, atë periudhë ishin mbi afër 230 milionë euro. Kemi arritur në 733 dhe në 28-tën do të kalojmë mbi 1.1 miliard euro. Rritje e subvencioneve dhe transfereve ekonomike nga 410 milionë euro këtë vit në 640 milionë euro 2028. Rritje e transfereve për komunat nga 485 milionë euro në vit, në 640 milionë euro në 2028”, pohoi Fatmir Besimi, Fronti Europian.

Përveç kësaj Besimi thekson se do të mbrojnë mjedisin jetësor sipas agjendave ndërkombëtare, menaxhim me mbeturinat dhe energji të sigurt.