ANALIZA/ Shifrat e skuadrave kryesuese, Struga konfirmohet si ekipi më ofensiv

Egnatia, Llapi dhe Struga janë tre skuadrat shqiptare që kryesojnë në ligat e rajonit, përkatësisht në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut. Dominimi i skuadrave shqiptare është reflektuar në vitet e fundit edhe në arenën ndërkombëtare, ku pjesëmarrëse kanë qenë rreth 10 skuadra në 2 edicionet e fundit.

Skuadrat që kryesojnë aktualisht në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut kanë patur një rendiment të kënaqshëm, sidomos në shënimin e golave.

Ka disa mënyra për të shkuar te goli në një ndeshje futbolli, por të gjitha kanë një emërues të përbashkët: zonën kundërshtare. Ekipet kanë strategji të ndryshme për të arritur aty, por është fakt që prezenca sa më e shpeshtë dhe konstante në afërsi ose brenda zonë kundërshtare, rrit mundësinë e shënimit të golit.

Trajnerët kanë “për detyrë”, kur flasim për aspektin ofensiv, të çojnë skuadrën në afërsi të zonës kundërshtare, pastaj i takon lojtarëve të konkretizojnë rastet e krijuara.

Disa nga indikatorët që tregojnë që skuadra në fazën ofensive po bën një punë të mirë janë:
1. Prekjet e topit në zonën kundërshtare
2. Kombinacionet e realizuara në 20 metrat e fundit
3. Topat e çuar në 3/4 e fushës kundërshtare

Sa më të lartë të jenë numrat e mësipërm, aq më shumë shtohen mundësitë që skuadra të tentojë kuadratin kundërshtar dhe logjikisht të shtohet dhe mundësia për të gjetur golin.

Aktualisht Struga është skuadra me lojën më të spikatur ofensive mes tre skuadrave shqiptare që kryesojnë në kampionatet përkatëse. Ekipi i drejtuar nga trajneri Shpëtim Duro spikat në të gjitha zërat që potencialisht të çojnë te goli, duke ndërtuar një lojë që nxjerr në pah cilësitë e lojtarëve që ka në dispozicion.

Në anën tjetër Egnatia dhe Llapi kanë shumë pak diferenca me njëra-tjetrën, me një epërsi të lehtë të skuadrës së Edlir Tetovës në numrin e golave në raport me ndeshjet si dhe ne goditjet në portë dhe prekjet në zonë, krahasuar me kryesuesit e Kosovës.

Llapi i Tahir Batatinës është më mire se rrogozhinasit në drejtimin e pasimeve në 20 metrat e fundit dhe pasimet në 3/4 e kundërshtarëve. Në pasimet në 20 metrat e fundit shihet diferenca që ka Struga me Egnatian dhe Llapin, pasi ka gati 2-fishin e produktivitetit në këtë drejtim.