DHUNA SI FENOMEN SHOQËROR !

DHUNA SI FENOMEN SHOQËROR !
Dhuna nuk është një koncept abstrakt por është fenomen konkret që haset në të gjitha poret e jetës shoqërore. Dhuna ndodh kur një individ (ose grup) në mënyrë të përsëritur, qëllimisht ose në gjendje afektive dëmton një person tjetër ose grup njerëzish që nuk janë në gjendje ti largohen dhunës. Dhuna mund të ndodhë në mesin e antarëve të familjes, grupit të moshanikëve ose më gjërë! Dhuna mund të jetë fizike, verbale, sociale , dhuna përmes internetit me shpërndarjen e mesazheve fyese, ose përmbajtjeve diskreditive që e stigmatizojnë personalitetin e njeriut! Gjendja e vështirë financiare e qytetarëve si rrogat dhe pensionet e ulta janë një formë e “dhunës financiare”, një torturë psiqike që i “mbyt” shpresat optimiste për një të nesërme më të mirë ,më humane dhe më të ndjeshme! Dhuna më brutale pamëdyshje është lufta, në kushtet e luftës njerëzit nuk kuptojnë si jetojnë dhe si do të vdesin. Siguria në shoqëri, pavarësisht nga të gjitha liritë dhe të drejtat, nuk është më e mire se para një shekulli. Dhunuesi nuk është në gjendje ta kontrollojë vetëveten, të largohet prej qëllimeve të këqija dhe ti pranoj prirjet e mira. Nuk kalon ditë që të mos dëgjojmë për ndonjë formë dhune në mjedisin tonë, rrahje, sulme në vendin e punës në spitale apo shkolla, vrasjet shokante në familje për motive të ndryshme etj. Përceptimi i qytetarëve tregon se dhuna është vazhdimisht në rritje.Jeta e sigurt duhet të jetë aksioni i përditshëm i organeve të sigurimit dhe i funksionimit efikas të ligjit! Çdo pengim i dhunës në një shoqëri është trijumfi i ndërgjegjes qytetare mbi veprimet trivijale të individëve që jetojnë në errësirë të thellë! Dhuna është devijimi social që kryhet nga personat pa ndjenja që veten e kanë të robëruar nga tërbimi dhe zemërimi ,për të cilët jeta pushon së qeni jetë!

-prof.Muhamet Borova