“Air Info”: Vizitoni Liqenin e Ohrit, destinacionin e paharrueshëm

Revista franceze e vlerëson për historinë dhe bukuritë natyrore

Pasi promovoi qytetin e Sarandës këtë herë revista e njohur e udhëtimeve ‘Air Info’ ndalet tek Liqeni i Ohrit të cilin e cilëson një destinacion të paharrueshëm për adhuruesit e natyrës.

Ky liqen është renditur si një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s që nga viti 1979 falë faunës dhe florës së tij të jashtëzakonshme.

Ka disa mënyra thotë kjo revistë se si mund të shkoni në Liqenin e Ohrit nga Shkupi ​​ose nga Tirana me makinë. Revista rekomandon që të eksplorohen limanet e fshehura. Udhëtarët e huaj mund të marrin edhe varka me motor për të zbuluar liqenin dhe të gjitha thesaret e tij brenda një dite. Ecjet, xhirot me biçikletë apo edhe hedhjet me parashutë janë të gjitha mundësi për të përfituar plotësisht nga mjedisi dhe panorama e mrekullueshme e liqenit.

Mali i Thatë nga Maja Magaro gjithashtu vlen të vizitohet, duke ju lejuar të fluturoni mbi zonë dhe të admironi pamjet befasuese të dy liqeneve të Ohrit dhe Prespës. Përveç bukurive natyrore mund të vizitoni edhe vende të pasura me histori si kisha e Shën Gjonit dhe ajo e Shën Sofisë. Turistët gjithashtu nuk duhet të lënë pa provuar kuzhinën e pasur dhe të larmishme.

Nuk mungojnë akomodimet përreth Liqenit të Ohrit ndërsa periudha më e përshtatshme për ta vizituar është nga Qershori deri në Shtator.