KSI për situatën me kollën e madhe: Nën kontroll, por s’mund të thuhet se është stabile

Situata me kollën e madhe është nën kontroll, por nuk mund të thuhet se është stabile sepse ende ka rritje të numrit të të prekurve konstaton komisioni për sëmundje ngjitëse, përcjell TV21. Deri më sot janë konstatuar 56 raste, prej të cilëve 14 janë fëmijë nën 1 vjeç, ndërsa 9 janë të moshës prej 1 deri në 4 vjeç. Kryetari i këtij komisioni u shpreh se më së shumti po i kushtojnë vëmendje parandalimit të përhapjes së kollës së madhe tek fëmijët, sidomos ata deri në 1 vjeç. Qëndron rekomandimi për plotësimin e vaksinimit. Deri më 14 shkurt janë vaksinuar mbi 13 mijë fëmijë.

“Gjithsej prej 56 rasteve, 16 janë të pavaksinuar, 12 janë me vaksinim të pa kompletuar. Për dallim prej herës së fundit kur treguam për gjendjen epidemiologjike, tani paraqiten edhe adoleshentë, fëmijë 10 deri 14 vjeç dhe më të rritur dhe me shumë gjasa gjatë javëve të ardhshme do të ketë pak ndryshim të kësaj strukture demografike të rasteve pozitive, presim tek të rriturit më shpesh të konfirmohet kjo sëmundje”, tha Aleksandar Petliçkovski, kryetar i Komisionit për Sëmundje Infektive.