Myftiu i Strugës:Vendosja e drynave në “Urën e Drinit të Zi”është një gabim dhe besim i kotë

Kureshtja e njeriut për të njohur të ardhmen (fatin dhe fatkeqësitë e tij) edhe sot e kësaj dite, krahas zhvillimeve të shumta, mbetet diçka e synuar por e panjohur, ashtu siç ishte edhe në kohët e qytetërimeve të lashta, e siç do të mbetet edhe në të ardhmen.
Misteret që shoqërojnë bestytnitë vazhdojnë të ndikojnë përgjatë shekujve në zhvillimin shpirtëror e kulturor të popujve të ndryshëm anë e mban botës.
Me zbritjen e shpalljeve nga Zoti e veçanërisht me ardhjen e pejgamberit të fundit, Muhammedit s.a.v.s. u vendosën bazat e një besimi të pastër larg bestytnive. Një rol të madh luajtën edhe zhvillimet e vrullshme shkencore, të cilat i bindën njerëzit se shumë prej gjërave që i mendonin si të pashpjegueshme apo misterioze, kishin shpjegime të natyrshme dhe racionale.
Nëpërmjet tyre u pa se shumë prej fenomeneve që ndodhin në natyrë, nuk përcaktonin ndonjë gjë në të ardhmen e njerëzve. Në këtë mënyrë u hodhën poshtë pretendimet se bestytni të ndryshme kishin baza fetare, logjike apo shkencore.
Andaj edhe kur jemi tek Ura e Dashurise dhe dëshirave dhe vendosjen e katinarëve në të, për të pasur fat në dashuri, që fatkeqësisht veprojnë shumë të ri dhe të reja në qytetin tonë, duhet të dimë se këto janë besime të kota dhe myslimanit nuk i lejohet të ketë besime të tilla.
Nuk ka ndonjë argument fetarë që kur lidhet katinari, lidhet edhe dashuria, apo se është një vend i caktuar ku nëse lidhet katinari, atëherë nuk prishet dashuria mes dy personave. Kjo është shirk i vogël. E nëse beson se vetë katinari ndikon, atëherë kjo është shirk i madh, sepse me këtë po i atribuohet katinarit diçka të cilën e vepron vetëm Allahu. Pra, personi në këtë rast e barazon katinarin me Allahun, gjë që është shirk i madh dhe personi del nga feja me këtë.
Por, duhet të jemi shumë të kujdesshëm edhe nga “shirku i vogël” sepse është prej mëkateve të mëdha.
Pra, për fund themi se besimtari për çdo gjë duhet të mbështetet në Allahun Madhërishëm dhe në lutjen ndaj tij, qoftë edhe për dashurinë, sepse është Zoti, Ai i cili vendos në zemrat tona dashuri mes njëri tjetrit. Allahu i Madhërishëm në Kuranin Fisnik thotë: Nëse Allahu vendos që të të godasë ndonjë e keqe, askush nuk mund të ta largojë atë, përveç Tij e, nëse Ai do të të bëjë ndonjë të mirë, s’ka kush që ta pengojë mirësinë e Tij. Ai ia jep atë mirësi kujt të dojë prej robërve të Tij. Ai është Falës dhe Mëshirëplotë. (Junus 107)

Mr. Salim Ef Sulejmani, myfti i Strugës