Adi ef. Murtishi – Kurrë nuk do të mund t’i bashkosh besimin dhe tradhtinë

O njeri, kurrë nuk do të mund t’i bashkosh besimin dhe tradhtinë.
Si mund të jesh besimtar kur fqinji nuk është i qetë prej teje? E si do të jesh musliman nëse prej teje nuk janë të qetë njerëzit tjerë?! A nuk ka thënë i Dërguari a.s.:

“Nuk ka besim ai, të cilit nuk i besohet, e as fe ai i cili nuk i plotëson premtimet”.

Ai po ashtu ka thënë:

“Nuk është besimtar ai nga e keqja e të cilit frikësohet fqinji i tij”

  • O njeri, nuk je në besimin e vërtetë përderisa ua zbulon të metat të tjerëve, edhe pse as vetë nuk je pa to. Andaj largoi së pari të metat tua, e lëri të tjerët dhe të metat e tyre. Megjithatë, dije se kurrë nuk do të mund t’i largosh të gjitha të metat tua, prandaj më me rëndësi është t’u për kushtohesh dhe të merresh me to. Nëse dëshiron të jesh i drejtë, atëherë mos i hulumto të metat e të tjerëve, kështu që edhe për Allahun e Lartësuar do të jesh i dashur dhe i këndshëm.
  • O njeri, sa i dobët dhe i pakujdesshëm që je! Të tjerëve ua zbulon gjynahet, ndërsa gjynahet tua i lë pas dore dhe i harron. Në sytë e vëllait e sheh edhe të metën më të vogël, ndërsa në syrin tënd nuk e sheh as trarin. Sa e vogël është drejtësia jote, ndërsa sa e madhe padrejtësia!