Zëvendëskryeministrin i parë, Artan Grubi sot ka pritur në një takim kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqin.
Në takimin mes tyre është biseduar në lidhje me menaxhimin e përbashkët të krizës ekonomike dhe energjetike.
“Sot kisha kënaqësinë të pres në takim delegacionin e Partisë Demokratike të Kosovës, të kryesuar nga kryetari i saj, z. Memli Krasniqi.
Bashkëbiseduam rreth perspektivave të zhvillimit të vendeve tona, nevojën e thellimit të bashkëpunimit për menaxhimin me sukses të sfidave të përbashkëta të krizës ekonomike dhe energjetike.
Potencuam rëndësinë e madhe që ka realizimi i projekteve infrastrukturore që do të lehtësojnë komunikimin mes vendeve tona, si autostradën Shkup – Bllacë, rrugën Tetovë – Prizren, vendkalimin e përbashkët kufitar (One Stop Shop)” ka shkruar zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi, përcjell TS.
Nga ana tjetër kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqin ka theksuar se rikthimi i vëmendjes së BE-së në Ballkanin Perëndimor, është lajm i mirë jo vetëm për Maqedoninë e Veriut por edhe Kosovën e cila sipas tij është duke pritur liberalizimin e vizave.
“Takimet zyrtare në Maqedoninë e Veriut, sot i nisa me zëvendëskryeministrin e parë, Artan Grubi, me ç ‘rast e urova për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE dhe rolin vendimtar të faktorit politik shqiptar në këtë proces. Rikthimi i vëmendjes së BE-së në Ballkanin Perëndimor, hapat konkret të saj, janë lajm i mirë jo vetëm për Maqedoninë e Veriut por edhe Kosovën e cila pret shpejtë liberalizimin e vizave, si një e drejtë e merituar tash e disa vjet”, ka shkruar Krasniqi.
Krasnqi sot është takuar edhe me kryeparlamanterin Xhaferi dhe kryetarin e BDI-së Ali Ahmetin.
