Çdo i treti banorë në Maqedoninë e Veriut ka emigruar

Qeveria me të gjitha subjektet politike çështjen e emigrimit duhet ta trajtojë si urgjencë kombëtare. Mbasi pjesa e madhe e diasporës janë shqiptarë, të gjitha subjektet shqiptare si prioritet në programet e tyre politike duhet ta kenë frenimin e emigrimit dhe kthimin eventual të diasporës

Nga Petrit POLLOZHANI

Regjistrimet e popullsisë dhe lëvizjet migruese janë operacione statistikore, por për shtetet multietnike siç është Maqedonia e Veriut ato shoqërohen dhe me ndikime të fuqishme politike. Nga struktura etnike e popullsisë burojnë të drejtat kombëtare (përdorimi i gjuhës në komunat me mbi 20 % të etnitetit dhe mbi 50 % përdorimi i flamurit kombëtar). Meqë maqedonasit dhe shqiptarët janë dy etnitetet më të mëdha, midis tyre zhvillohet një betejë e fshehtë për sa i përket pjesëmarrjes etnike në numrin e përgjithshëm të popullsisë. Shqiptarët kanë dyshuar në objektivitetin e regjistrimeve dhe kërkojnë të dinë numrin real tyre. Nga prezantimi i të dhënave të mëposhtme mbi shtimin natyror dhe regjistrimeve të popullsisë nga viti 1948 deri në 2021, rezultojnë lëvizjet migruese. Bazuar në këto tri faktorë arrijmë deri te numri absolut shumë i përafërt i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Siç mund të vërehet, në periudhën e analizuar 1948/2021, në Maqedoninë e Veriut ka pas emigrime të fuqishme të cilat varësisht nga ndikimet politike dhe ekonomike kanë pasur oscilime të shumta. Vetit e lëvizjeve migruese kanë qenë si më poshtë:

E para, në Maqedoninë e Veriut vetëm në vitet 1949/53 ka pas ardhje të popullsisë nga vendet tjera (imigrim), me një numri mospërfillës prej 4,243.

E dyta, nga viti 1953 deri në vitin 2021 në Maqedoninë e Veriut janë shënuar emigrime të popullsisë, të cilat kanë pasur oscilime të fuqishme.

E treta, Maqedonia e Veriut në 3 vitet e fundit shënon shtim natyror negative të popullsisë.

E katërta, nga Maqedonia e Veriut në periudhën nga viti 1948 deri më 2021 kanë emigruar 664,369 banorë.

E pesta, duke u bazuar në regjistrimin e fundit (2021) sipas të cilit në Maqedoninë e Veriut jetojnë 446,245 shqiptarë si popullsi rezidente dhe i shtojmë diasporën prej 500.00 vetave (75% e diasporës) minus 120.000 të emigruar për në Turqi për mos u kthyer asnjëherë, mund të konkludojmë se Maqedonia e Veriut ka mbi 800.000 shqiptarë. Më poshtë prezantohen ecuritë migruese nga një regjistrim në tjetrin si dhe faktorët nxitës të tyre. Nga viti 1953 deri në 1961 kanë emigruar 144.248 persona si rezultat i Konventës Turko – Jugosllave. U përdor dhuna, propaganda, afera e armëve dhe presione të tjera që shqiptarët të regjistrohen si turq, sepse ashtu i donte Turqia dhe mandej nëpërmjet Shkupit të dëboheshin drejt shkretëtirës së Anadollit.

Nga viti 1962 deri në 1981 shënohet një frenim i emigrimeve (rreth 33.000), që i përshkruhet shkarkimit të Rankoviqit në vitin 1966, i cili mbante postin e ministrit të punëve të brendshme të Jugosllavisë së atëhershme. Ishte ky një veprim komunist për të hedh fajin vetëm te një personi edhepse pas marrëveshjes turko-jugosllave qëndronte e gjithë qeveria e atëhershme me ministritë përkatëse.

Në vitet 1981 dhe 1991 intensifikohen emigrimet duke arrit numrin 108,050, si pasojë e një diskriminimi të pa parë ndaj popullatës shqiptare. Duke filluar nga viti 1981, kur Kosova kërkoi statusin e republikës, filluan një sërë masash diskriminuese dhe në Maqedoninë e Veriut. Diferencimet famëkeqe komuniste larguan numër të madh profesorësh dhe intelektualësh të tjerë nga puna. U mbyllën shkollat e mesme shqipe duke i transferaur ato në të ashtuquajturat paralele të përziera, ku mësimi zhvillohej vetëm në gjuhën maqedonase. Pati burgosje masive, gjoja të irredentistëve shqiptarë. Kishte seleksionim të emrave të fëmijëve të lindur, kontroll të lindjeve të shqiptarëve etj. Zhvillimet e tilla i dhanë nxitje emigrimeve shqiptare. Nga viti 1994 deri në 2002 shënohet një numër simbolik i emigrimeve (1,740) dhe nga viti 2003 deri më 2021 shënohen emigrime masive (235,217), që do të thotë se në 2 dekadat e fundit Maqedonia e Veriut humb mesatarisht mbi 12.000 banor në vit. Zhvillimet e tilla emigruese burimin e kanë në shumë faktorë, por vendimtare janë: të ardhurat e ulëta, korrupsioni i nivelit të lartë, gjyqësia selektive, arsimi dhe shëndetësia e dobët, partizimi i skajshëm, rrënimi i sistemit të vlerave, nepotizmi shumë i theksuar si dhe lehtësitë për të emigru dhe punësu në shtetet e BE në veçanti Gjermania.

Nga ajo që u cek më lartë, rrjedh se, Qeveria me të gjitha subjektet politike çështjen e emigrimit duhet ta trajtojë si urgjencë kombëtare. Mbasi pjesa e madhe e diasporës janë shqiptarë, të gjitha subjektet shqiptare si prioritet në programet e tyre politike duhet ta kenë frenimin e emigrimit dhe kthimin eventual të diasporës. Kroacia p.sh., stimulon me 25.000 € secilin që kthehet në vendlindje. Turqia është e njohur për letrën e kaltër e cila stimulon diasporën turke për t’u kthyer në vendlindje. Polonia poashtu zbaton politikë të mirëfilltë për diasporën. Një strukturë e tillë e popullsisë imponon nevojën e ndryshimeve kushtetuese për zëvendësimit e 20% me shtetformësinë e popullit shqiptarë. (koha.mk)