Prej tre ditësh procesi i regjistrimit është i ndërprerë

Tre ditë me radhë regjistruesit nuk janë në terren për të bërë regjistrimin e qytetarëve dhe amvisërive. Nga Enti Shtetëror për Statistika, në mënyrë jo të drejtpërdrejtë pranojnë se po ballafaqohen me probleme në sistemin e regjistrimit. Alsat kërkoi sqarime nga kryetari i Entit, Apostoll Simovski, pse nuk dalin në terren ekipet e regjistrimit. Ai fillimisht tha se përgjigje për këtë duhet të japë Qeveria. Disa orë më vonë, përmes kumtesës Enti i Statistikave njoftoi se po punojnë në zgjidhjen e disa problemeve teknike, që të ruhet niveli i lartë i sigurisë së regjistrimit.

Enti i Statistikave

“Në vijim po punojmë për tejkalimin e disa sfidave më të vogla teknike të cilat përkohësisht u paraqitën gjatë ditëve të kaluara, kur në terren kishte intensitet të lartë të regjistruesve. Të gjitha të dhënat e futura janë procesuar me sukses në sistem, ndërsa harmonizimet teknike bëhen me qëllim që procesi të vazhdojë me intensitet të pa zvogëluar”.

Në Kumtesën e Entit të Statistikave, thuhet se është bërë regjistrimi i rreth 200 mijë qytetarëve. por sot është dita e tretë që Instruktorët dhe regjistruesit janë urdhëruar të mos dalin në terren për të bërë regjistrimin e popullsisë dhe amvisërive. Të kontaktuar nga Alsat disa nga instruktorët dhe regjistruesit, kanë pohuar se janë urdhëruar që të mos dalin për të bërë regjistrim. Pa iu dhënë arsye konkrete, si edhe pa i informuar se kur do të dalin të vazhdojnë punën e tyre.

Nga Enti i Statistikave shprehen të bindur se deri më 30 shtator, regjistrimi do të kryhet me sukses. Regjistrimi i popullsisë rezidente dhe amvisërive filloi më 5 shtator. Po ashtu vazhdon edhe vetë regjistrimi i mërgatës përmes aplikacionit online, ku janë regjistruar rreth 191 mijë mërgimtarë.