Moti i ngrohtë me temperatura shumë të larta nga faza portokalli, të cilat dje e përfshinë gjithë territorin e vendit do të mbajë deri më 14 gusht. Temperatura do të arrijë deri 421 gradë, ndërsa do të ketë edhe UV rrezatim të lartë, informojnë nga Drejtoria për punë hidrometeorologjike. Rekomandohet që qytetarët të mbrohen nga temperaturat e larta.
Nga Shërbimi për Ndihmë urgjente mjekësore në Shkup theksojnë se është rritur numri i thirrjeve, ndërsa qytetarët që nuk ndjehen mirë për shkak të motit të ngrohtë kanë ndryshime kardiovaskulare, dhimbje koke, tension, marramendje, lodhje, përgjumje…
Ministria e Shëndetësisë, në bazë të konkluzioneve të Komisionit për përcjellje të efekteve nga temperaturat e larta në pajtim me Planin aksional për parandalim të pasojave nga valët e ngrohta i kanë sjellë rekomandimet vijuese: të lirohen nga detyrimet punuese grupet më të ndjeshme të popullatës, siç janë: gratë shtatzëna dhe personat të moshës mbi 60 vjeçare, në institucionet për përkujdesje të fëmijëve (kopshtet) të mos praktikohet aktivitet fizik dhe të mos i nxjerrin jashtë fëmijët në periudhë nga ora 11 deri në 17, të gjitha objektet juridike, që kryejnë aktivitete në qiell të hapur, t’i ndalojnë aktivitetet në periudhën nga ora 11 deri në ora 17, që në mënyrë të veçantë i përket punëtorëve të ndërtimit.
Në rekomandime theksohet se njësitet e pushtetit lokal, Kryqi i Kuq dhe Qendrat për punë sociale në rajonet e përfshira me valën e ngrohtë, duhet të kenë qasje më aktive dhe të ofrojnë ndihmë personave të moshuar të vetmuar dhe të pastrehëve konform aktiviteteve të parashikuara në Planin aksional, ndërsa duke pasur parasysh faktin se procese të caktuara të rrezikshme prodhuese dhe teknologjike mund të paraqesin rrezik shtesë për shëndetin e punëtorëve të ekspozuar, përkujtohen punëdhënësit në detyrimin për respektimin e dispozitave ligjore nga kjo fushë.
Qytetarët në gjithë periudhën e verës duhet t’i respektojnë masat e ardhshme të përgjithshme për mbrojtje të shëndetit, që do të thotë se gjatë ditëve të ngrohta ekstreme duhet të qëndrojnë kohë më të gjatë në hapësira të mbyllura (para se gjithash në ajër të kondicionuar), ndërsa gjatë qëndrimit të domosdoshëm në hapësirë të hapur në këtë periudhë, të gjejnë mundësi për pushime më të shpeshta nën hije, të veshin veshëmbathje të ndritshme dhe të lehtë, gjatë ekspozimit direkt në diell të mbajnë syza dhe kapelë mbrojtëse, gjatë rrezitjes të përdorin krem me faktor të lartë mbrojtës, të hanë sasi më të vogël të ushqimit, kryesisht pemë dhe perime, më pak ushqim të yndyrshëm, të pinë më shumë ujë dhe t’u shmangen pijeve alkoolike, gjatë hyrjes në automjet duhet për një kohë ta ajrosin, ndërsa personat e sëmurë kronik duhet rregullisht ta marrin terapinë e shkruar në konsultim me mjekun amë.
Për shkak të temperaturave të larta dhe mundësisë për helmim me ushqim dhe sëmundje ngjitëse të zorrëve, nga Ministria rekomandojnë larje të obligueshme të prodhimeve kopshtare-bujqësore (fruta dhe perime të freskëta) para përdorimit të tyre, përgatitje termike të ushqimit dhe konsumimi i tij menjëherë pas përgatitjes. Nëse ajo nuk bëhet atëherë ushqimi duhet të ruhet në frigorifer në temperaturë prej +4 gradë, dhe para përdorimit i njëjti të ngrohet në +100 gradë dhe të shmangen prodhimet të cilat nuk janë përpunuar në mënyrë termike si majonezi nga vezët, ndërsa me kujdes të konsumohen akulloret dhe kremërat e ndryshëm.
Nga Ministria e Shëndetësisë potencojnë se institucionet shëndetësore janë të gatshme me një numër të mjaftueshëm të kapaciteteve dhe terapisë mjekësore për ballafaqim eventual me një numër të rritur të personave me efekte të dëmshme për shëndetin nga temperaturat e larta. Gjithashtu sipas nevojës dhe në bazë ditore, Komisioni për ndjekjen e efekteve nga temperaturat e larta pranë Ministrisë së Shëndetësisë do të propozojë masa dhe aktivitete për minimizimin e këtyre rreziqeve veçanërisht për kategorinë më të rrezikuar të qytetarëve në ditët e ardhshme, qëndron në kumtesë.