Banesa 20% më të lira për çiftet e reja, ende vetëm premtim

Banesa deri në 20% më të lira për çiftet deri në moshën 35-vjeçare. Kjo është masa që paralajmëroi kryeministri, por deri tani ajo mbetet vetëm në nivel premtimi. Ende nuk ka asnjë procedurë administrative apo ligjore që do ta mundësonte zbatimin e saj. Ndërkohë, ekonomisti Ali Maksuti vlerëson se një ulje e tillë nuk është e lehtë për t’u realizuar, pasi çmimet aktuale të banesave janë rezultat i kostove të ndërtimit, ndërsa kompanitë kanë edhe fitimin e tyre të planifikuar.

“Tani është krijuar një klimë e re ku kryeministri paralajmëroi të njëjtën masë që do filloj të e aplikojë, por jemi në fazën ku është premtim sepse nuk ka asnjë procedurë as administrative as në kuvend as si projektligj nuk është kaluar që të bëhet e realizushme. Çmimet e banesave në shitje janë si rezultat i kostove të cilat kanë ardhur deri tek çmimi shitës dhe tani nëse shohim tregjet botërore kemi rritje të lëndëve të para sidomos të materialeve ndërtimore këtu nuk do të ketë efekt që kompanitë të i ulin çmimet 20 për qind ku është pjesa e fitimit të planifikuar të tyre dhe ku është leverdia financiare apo ekonomike e tyre”, tha Ali Maksuti Ekonomist.

Përveç kostove të ndërtimit, një tjetër çështje është mënyra se si kompanitë do ta përballojnë zbritjen e paralajmëruar. Sipas Maksutit, nëse kompanitë përfshihen në këtë projekt, ato mund të kërkojnë mekanizma të tjerë për të kompensuar uljen e çmimit. Kjo mund të ndikojë edhe në çmimet në treg, pasi jo të gjitha kompanitë pritet të përfshihen në këtë masë, ndërsa ato që do ta zbatojnë mund të tentojnë ta kompensojnë zbritjen përmes rritjes së çmimeve fillestare.

“Për ta mbuluar atë pjesën e 20 përqindëshin do të gjejnë mekanizma ose metoda tjera për ta mbuluar atë humbje, të themi humbje për biznesin. Ta mbulojnë 20 përqindëshin vetëm ato kompani që do e ndryshojnë çmimin në treg, do ndikojë në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe në treg se aty nuk do të aplikojnë të gjitha kompanitë, por kompanitë të cilat do aplikojnë në realizimin e këtij projekti do ndikojnë në çmim dhe për ta mbuluar këtë 20 përqindëshin do gjejnë mekanizma dhe metoda për ta rritur çmimin”, shtoi Ali Maksuti Ekonomist.

Ndërkohë, të dhënat e fundit tregojnë se realizimi i kësaj mase do të bëhet në një treg ku çmimet dhe kostot e ndërtimit vazhdojnë të rriten. Në Shkup, çmimi mesatar i regjistruar i banesave në tremujorin e dytë të këtij viti arriti në 1.449 euro për metër katror, me rritje vjetore prej 13,3%. Ndërsa kostot e ndërtimit të objekteve të reja banesore në tremujorin e tretë u rritën për 5,1% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. /Alsat.mk