Nju-Jorku bën histori: Njeh 28 Nëntorin si festë zyrtare

Komuniteti shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës po përjeton një moment historik dhe simbolik të jashtëzakonshëm, pasi Këshilli i Qytetit të Nju-Jorkut ka vulosur zyrtarisht njohjen e përvitshme të 28 Nëntorit si Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë në metropolin më të madh amerikan, raporton korrespodenti i INA nga Nju Jorku, Beqir Sina.

Ky vendim madhor vjen si një kurorëzim i dekadave të tëra të sakrificës, suksesit dhe integrimit të shqiptarëve, duke e vendosur flamurin kuqezi dhe historinë kombëtare shqiptare në kalendarin e përhershëm të njohjeve zyrtare të kryeqendrës botërore.

Rezoluta historike me numër 0186-2026 u miratua gjatë mbledhjes plenare të Këshillit të Qytetit të Nju-Jorkut më 19 nëntor 2026, duke përcaktuar se çdo vit kjo datë do të nderohet në shenjë respekti për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912.

Kjo nismë e fuqishme u iniciua nga këshilltarja e qytetit Amanda C. Farías, duke gjetur menjëherë mbështetjen e pakushtëzuar të kolegëve të saj, përfshirë Shirley Aldebol, Farah N. Louis dhe Frank Morano, të cilët vlerësuan rolin vendimtar të komunitetit shqiptaro-amerikan në formësimin e identitetit modern të qytetit.

Dokumenti zyrtar i rezolutës ngre lart kontributin e jashtëzakonshëm kulturor, shoqëror dhe ekonomik të më shumë se 100 mijë banorëve me prejardhje shqiptare që jetojnë dhe veprojnë në pesë lagjet administrative të Nju-Jorkut, me një shtrirje dhe ndikim të veçantë në Bronx dhe Staten Island.

Ndonëse ky akt i Këshillit të Qytetit nuk e shpall 28 Nëntorin ditë pushimi zyrtar, ai përfaqëson një fitore të madhe diplomatike e qytetare për shqiptarët e Amerikës, duke e shndërruar këtë datë të shenjtë në një simbol të përhershëm të krenarisë dhe bashkëjetesës në zemër të Nju-Jorkut.(INA)