Rokas: Pas ndryshimeve kushtetuese, Maqedonia e Veriut mund të hapë grupkapitullin e parë me BE-në brenda së njëjtës ditë

Screenshot

Nëse Kuvendi i miraton ndryshimet kushtetuese, synimi i Bashkimit Evropian është që Maqedonia e Veriut, brenda së njëjtës ditë, të mbajë dy konferenca ndërqeveritare me BE-në dhe të hapë grupkapitullin e parë negociues „Themeloret“, deklaroi euroambasadori Mihalis Rokas për „360 Gradë“.

„Synimi ynë është që, sapo të miratohen ndryshimet kushtetuese, të mbahen dy konferenca ndërqeveritare njëra pas tjetrës, brenda së njëjtës ditë. Me të parën do të përmbyllej hapja e negociatave për anëtarësim, ndërsa me të dytën do të hapej grupkapitulli ‘Themeloret’. Ky është synimi ynë. Kohën deri në miratimin e ndryshimeve kushtetuese në Kuvend mund ta shfrytëzojmë për të punuar në këto tri dokumente dhe për të qenë të gatshëm për të vazhduar më tej“, tha Rokas.

Grupkapitulli „Themeloret“, i cili përfshin sundimin e ligjit, demokracinë dhe të drejtat e njeriut, hapet i pari dhe mbyllet i fundit.

Për hapjen e tij nevojiten udhërrëfyesi për reformën e administratës publike dhe udhërrëfyesi për sundimin e ligjit, me të cilin lidhet edhe Plani i Veprimit për Pakicat, shpjegoi euroambasadori.

I pyetur nëse këto tri dokumente mund të konsiderohen tashmë si punë e përfunduar, Rokas tha se më së shumti përparim është bërë në udhërrëfyesin për administratën publike.

„Ato ende nuk janë përfunduar. Megjithatë, udhërrëfyesi për administratën publike është pothuajse gati. Mendoj se praktikisht ka përfunduar. Për dy dokumentet e tjera ende po punohet, por, aq sa di unë, konsultimet po zhvillohen mirë dhe ekziston vullneti që ato të përfundojnë shumë shpejt“, deklaroi ai.

I pyetur nëse Bullgaria është i vetmi shtet anëtar i BE-së që kundërshton Planin e Veprimit për Pakicat, Rokas tha se nuk dëshiron të spekulojë, ndërsa vlerësoi konsultimet mes Shkupit dhe Sofjes.

„Sa di unë, dhe mendoj se kjo është e qartë, mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë tashmë po zhvillohen konsultime. Ato janë në vazhdim dhe kanë karakter të përgjithshëm, nuk zhvillohen konkretisht për këtë çështje. Mendoj se kjo duhet përshëndetur. Ky shkëmbim ndihmon në mirëkuptimin e ndërsjellë dhe në ndërtimin e besimit“, tha Rokas.