Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan deklaroi sot se në Gaza vazhdojnë të ndodhin çdo ditë masakra, vrasje të shënjestruara, uri dhe mizori të tjera, ndërsa bota i vëzhgon ato, duke akuzuar Izraelin se e ka shndërruar enklavën palestineze në “kampin më të madh të përqendrimit në botë”, raporton Anadolu.
“Masakra, vrasje të shënjestruara, uri dhe shumë të tjera vazhdojnë të përsëriten çdo ditë para syve të botës në Gaza, të cilën qeveria izraelite e ka shndërruar në kampin më të madh të përqendrimit në botë”, tha Erdogan gjatë një mbledhjeje të grupit parlamentar të partisë së tij në pushtet, Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK), në Ankara.
Presidenti turk u bëri thirrje gjithashtu muslimanëve që të ndërmarrin veprime dhe të shtojnë presionin ndaj Izraelit lidhur me veprimet e tij në Gaza.
“Si muslimanë, ne duhet të veprojmë dhe të sigurojmë që ndaj Izraelit të ushtrohet një presion më i madh”, tha ai.
