Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka pritur sot në Kuvend një delegacion të Institutit Republikan Ndërkombëtar (IRI), me të cilin ka diskutuar për bashkëpunimin e deritanishëm dhe mbështetjen e kësaj organizate për BDI-në.
Në takim morën pjesë drejtori i përgjithshëm i IRI-së për Evropë dhe Euroazi, Steven Nix, si dhe drejtori rezident i programeve të IRI-së për Serbinë dhe Ballkanin Perëndimor, Paul Prososki. Në delegacion ishin edhe zëvendësdrejtoresha e IRI-së për Serbinë dhe Ballkanin Perëndimor, Biljana Ljubiç, dhe përfaqësuesja dhe ekspertja për Maqedoninë e Veriut pranë IRI-së, Ana Alibegova.
Pas takimit, Ahmeti ka vlerësuar bashkëpunimin shumëvjeçar me Institutin Republikan Ndërkombëtar, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme të këtij institucioni për avancimin e organizimit të BDI-së, forcimin e strukturave partiake, zhvillimin e kapaciteteve dhe pasurimin e ofertës programore.
Ai ka theksuar gjithashtu se bashkëpunimi me partnerët amerikanë përbën një kontribut në forcimin e demokracisë, zhvillimin e kulturës politike dhe ndërtimin e kapaciteteve më të avancuara organizative dhe programore të partisë.
Ahmeti ka shprehur mirënjohje për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme të IRI-së, duke nënvizuar rëndësinë e partneritetit në zhvillimin e mëtejshëm të BDI-së dhe përgatitjen e saj për sfidat në skenën politike të Maqedonisë së Veriut.






