Operacioni ndërkombëtar ndaj “Dark Web”, arrestohen 354 persona

Një operacion i madh ndërkombëtar policor kundër bandave të anës së errët të internetit e njohur ndryshe si “Dark Web” çoi në arrestimin e 354 personave në 14 vende, ndërsa u sekuestruan më shumë se 5.8 ton drogë, 152 armë zjarri si dhe para të gatshme dhe kriptovaluta me vlerë 150 milionë euro. Operacioni “Tornado”, i koordinuar nga Europoli u krye në të gjithë botën, ndërsa synonte të luftonte trafikimin e drogës dhe aktivitete të tjera kriminale nëpërmjet të ashtuquajturit “rrjet i errët”. Operacioni përfshinte shërbime policore nga 14 vende, përfshirë Australinë, Shtetet e Bashkuara, Britaninë, Francën dhe Gjermaninë. Nga gjithsej 354 arrestime, shumica u zhvilluan në SHBA, ku u arrestuan 132 persona. Britania e Madhe pasoi me 59 arrestime, Hungaria me 45, Gjermania me 41 dhe Franca me 23. Zëvendësdrejtori i FBI-së theksoi rëndësinë e operacionit në luftimin e trafikimit.

“Operacioni Tornado u përball me një nga kërcënimet më urgjente ndaj sigurisë publike në kohën tonë: trafikimin e fentanilit dhe të drogave të tjera vdekjeprurëse përmes rrjetit të errët-Dark Web.  Në bashkëpunim me partnerët tanë vendas dhe ndërkombëtarë, ne identifikuam shitësit më aktivë në rrjetin e errët, lidhëm identitetet e përdorura në internet me autorët e vërtetë të veprave penale, gjurmuam transaksionet financiare të paligjshme dhe çmontuam elemente kyçe të infrastrukturës që u mundësonte këtyre rrjeteve të funksiononin”, deklaroi Kristofer Raia, Zv.drejtor i FBI-së./Alsat.mk.