Kujdes me pagesat gjatë fundjavës, bankat paralajmërojnë ndërprerje të përkohshme

Të gjitha bankat në Maqedoninë e Veriut gjatë fundjavës, më 7 dhe 8 nëntor, do të kryejnë përshtatje teknike të sistemeve të tyre, për shkak të zbatimit të standardeve të reja në qarkullimin e pagesave në denarë.

Njoftimi është bërë nga Asociacioni i Bankave të Maqedonisë, i cili paralajmëron se gjatë realizimit të këtyre aktiviteteve mund të ketë ndërprerje të përkohshme ose qasje të kufizuar në disa shërbime bankare, veçanërisht në transaksionet e pagesave.

Përshtatjet teknike bëhen në kuadër të ndryshimeve të reja rregullatore, të cilat fillojnë të zbatohen nga e hëna, 9 nëntor. Ato përfshijnë urdhërpagesat e reja, kodet për qëllimin e pagesës dhe përdorimin e llogarive të pagesave në formatin IBAN.

Nga Asociacioni sqarojnë se bëhet fjalë për aktivitete të planifikuara paraprakisht, me qëllim modernizimin e sistemit kombëtar të pagesave dhe zbatimin më të lehtë të standardeve të reja.

Megjithatë, orari i saktë i ndërprerjeve, shërbimet që mund të preken dhe kohëzgjatja e kufizimeve do të bëhen të ditura veçmas nga secila bankë përmes kanaleve të saj zyrtare.

Qytetarëve dhe kompanive u rekomandohet që pagesat dhe transaksionet e planifikuara për fundjavë t’i kryejnë me kohë dhe të ndjekin njoftimet e bankave të tyre.

Asociacioni i Bankave thekson se numrat ekzistues të llogarive bankare nuk do të ndryshojnë. Përshtatjen e paraqitjes dhe përdorimit të llogarive në formatin IBAN në shërbimet e bankimit elektronik dhe mobil do ta realizojnë vetë bankat./Alsat.mk