OBRM-PDUKM dhe VLEN, partnerë të koalicionit në Qeveri, komentuan me mesazhe të ndryshme rezultatet e zgjedhjeve lokale në Brvenicë, të cilat u fituan nga kandidati i BDI-së, Arkin Jahiji.
OBRM-PDUKM akuzoi VLEN-in se kontribuoi në fitoren e BDI-së në vend që të ngrihej mbi nacionalizmin etnik, ndërsa nga VLEN thonë se zgjedhjet treguan se ende ka shumë punë për t’u bërë në vend për të ndërtuar një model të vërtetë qytetar.
Nga OBRM-PDUKM në një deklaratë për media thonë se garuan në zgjedhje me një program dhe projekte për zhvillimin e komunës, ndërsa, sipas partisë, kundërshtarët e saj e shndërruan garën zgjedhore në një garë ndarjesh etnike.
“Një Brvenicë për të gjithë është më shumë se një koncept në të cilin theksuam forcën e unitetit, bashkëjetesës dhe respektit të ndërsjellë, investimeve në infrastrukturë dhe kushteve më të mira të jetesës, ndërsa kundërshtarët, duke përfituar nga situata demografike, bënë thirrje për votim etnik”, thonë nga OBRM-PDUKM.
Nga kjo parti pretendojnë se BDI, LSDM, “E Majta” dhe VLEN vepruan bashkërisht kundër saj, duke vlerësuar se e shndërruan garën zgjedhore në një “unazë ndarjesh” në vend të një garë idesh.
“Ajo që është veçanërisht për të ardhur keq është se partneri ynë i koalicionit, VLEN, humbi mundësinë në Brvenicë për të qenë ndryshe nga BDI dhe për t’u ngritur mbi nacionalizmin etnik, gjë që tregoi se, ashtu si kandidatët e LSDM-së dhe “Të Majtës”, ishte një kalë troje në favor të BDI-së”, thuhet në deklaratë.
Ndërsa nga VLEN nga ana tjetër, thonë se zgjedhjet në Brvenicë u mbajtën në një atmosferë të lirë dhe demokratike, pa incidente dhe shkelje të rregullave zgjedhore. Prandaj, ata theksojnë se votat u përkasin qytetarëve dhe se asnjë parti politike nuk ka të drejtë t’i kontrollojë ato ose të pretendojë se ato janë pronë e saj.
“Në një demokraci, vullneti i qytetarëve është dhe duhet të mbetet mbi çdo interes, dhe në demokracinë lokale, vullneti i qytetarëve duhet të jetë mbi vijat partiake. Votat u përkasin qytetarëve, të cilët vendosin lirisht se kujt do t’i besojnë”, thonë nga VLEN.
Ata gjithashtu kritikuan mënyrën se si u zhvillua fushata zgjedhore, duke vlerësuar se thirrjet për votim etnik, së bashku me LSDM-në dhe “Të majtën”, nuk kontribuojnë në ndërtimin e një modeli qytetar.
“Një model qytetar nuk mund të ndërtohet duke bërë thirrje për votim etnik së bashku me LSDM-në dhe “Të Majtën”. Aty ku është “E Majta”, nuk ka shqiptarë. Në shoqëritë me diversitet etnik, çdo veprim provokon një reagim. Një qasje e tillë rrezikon të krijojë një rreth vicioz nxitjeje dhe retorike polarizuese, si dhe të thellojë përçarjet etnike. Në vend të përparimit, do të kemi regres”, thonë nga VLEN.
Ndryshe, në raundin e dytë të zgjedhjeve në Bërvenicë, kandidati i AKI-së Arkin Jahiji mori 4.442 vota, ndërsa kandidati i OBRM-PDUKM-së Stojanço Radiçevski ka marrë 4.177 vota.
