Sela ndez motorët politikë pas Bërvenicës: Kërçova për rikthim, Buteli për pushtim!

Fitorja në Bërvenicë nuk është fundi, por vetëm fillimi i betejave të reja politike për Ziadin Selën. Kreu i Lidhjes Shqiptare paralajmëron se synimet e radhës janë rikthimi i Kërçovës dhe fitorja në Butel.

Në mesazhin e tij urues për Arkin Jahijin dhe shqiptarët e Bërvenicës, Sela e cilësoi këtë rezultat si një “sihariq të madh”, që duhet të shërbejë si shtysë për angazhim edhe më të madh politik.

Ai theksoi se fitorja u arrit falë vendosmërisë, mundit dhe përkushtimit, ndërsa shprehu mirënjohje të veçantë për mërgatën shqiptare, e cila, sipas tij, dëshmoi edhe një herë fuqinë dhe atdhedashurinë e saj.

“Fitorja në Bërvenicë është një sihariq i madh, që duhet t’i prijë një pune po aq të rëndësishme që na pret të gjithëve, për rikthimin edhe të Kërçovës dhe fitores në Butel”, shkroi Sela.