Deputetja dhe anëtarja e Komitetit Ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së, Dafina Stojanoska, gjatë një paraqitjeje në edicionin qendror të lajmeve në televizionin Sitel, drejtpërdrejt nga Komuna e Bërvenicës, vlerësoi se koalicioni VLEN nuk arriti të distancohej nga politikat e BDI-së, por në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale u rreshtua pas kandidatit të AKI-së.
Stojanoska theksoi se VMRO-DPMNE dhe koalicioni “Maqedonia Jote” në raundin e parë mbështetën kandidatin e tyre, Stojançe Radiçevski, ndërsa VLEN garoi me kandidat të veçantë. Sipas saj, në raundin e dytë VLEN vendosi t’i bashkohej kandidatit të AKI-së, njofton TS.
Ajo kritikoi koalicionin VLEN, duke e akuzuar se në raundin e dytë në Bërvenicë veproi në favor të BDI-së, në vend që të dëshmonte dallimet politike me këtë parti.
“Na vjen keq që VLEN nuk e shfrytëzoi këtë mundësi për të treguar se është ndryshe nga BDI-ja, por veproi njësoj si LSDM-ja dhe E Majta. Mendoj se luajtën rolin e ‘kalit të Trojës’ dhe vepruan në favor të BDI-së, duke i shpërndarë votat nga baza elektorale”, deklaroi Stojanoska.
Sa i përket ndikimit të zgjedhjeve në koalicionin qeverisës, ajo tha se rezultati në Bërvenicë nuk do të përbëjë test për koalicionin, por se testi i vërtetë është realizimi i programit qeveritar, i cili, sipas saj, po zbatohet sipas planifikimeve.
