Paga më të larta për pjesëtarët e Ushtrisë dhe të punësuarit në Ministrinë e Mbrojtjes nga 1 janari

Pjesëtarët e Ushtrisë dhe të punësuarit në Ministrinë e Mbrojtjes nga 1 janari 2027 duhet të marrin paga më të larta. Rritjen e njoftoi ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski, i cili njoftoi se është në përgatitje edhe një kontratë e re kolektive me sindikatat.

Misajllovski njoftoi edhe një zgjidhje të përhershme për ushtarët profesionalë që mbushin 45 vjeç, çështje që për një periudhë të gjatë ishte objekt bisedimesh me sindikatat dhe përfaqësuesit e Ushtrisë. Sipas tij, propozim-zgjidhja ka kaluar tashmë në kolegjiumin qeveritar dhe pritet të shqyrtohet në seancën e Qeverisë.

Me zgjidhjen e propozuar, ushtarët profesionalë që do të mbushin 45 vjeç do të mund të vazhdojnë të punojnë në Ushtri deri në pensionim.

Ministri informoi edhe se gjatë mandati të tij janë paguar mbi 26 milionë euro për paditë gjyqësore të viteve 2019 dhe 2020. Në periudhën e ardhshme pritet edhe nënshkrimi i një kontrate të re kolektive, ku, siç siguron Misajllovski, të drejtat e fituara të të punësuarve nuk do të cenohen.

Sa i përket modernizimit të Ushtrisë, ai theksoi se blerjet e mjeteve të blinduara „Stryker“ dhe të haubicave po realizohen sipas dinamikës së planifikuar.