Dimri i kthen duhanpirësit brenda lokaleve, ligji ende në sirtar

Lokalet kanë filluar t’i mbyllin hapësirat verore, por duhani vazhdon të pihet në hapësirat që nuk është e preferuar të konsumohet. Kjo sepse masat e paralajmëruara rigoroze që do të duhet të buronin nga ligji i ri për mbrojtje nga duhani nuk janë akoma në fuqi.

Ligji ka ngecur prej muajsh në Kuvend edhe pse ishte paralajmëruar hyrja në fuqi e tij prej 1 marsit.

Kundërshtimet më të mëdha erdhën nga bizneset.

Disa nga qytetarët janë kundër ndalesës së pirjes së duhanit në kafene, nuk duan ta pinë kafen pa e shoqëruar me cigare. Por ka edhe nga ata që vlerësojnë se duhet më shumë kushte për ambient të sigurt për qytetarët që nuk e pinë duhanin.

“Jo, si pse, përse është e hapur ajo kafe, kafe si do të pishë, në të ftohtë në -20C me cigare, duhet brenda sikur ish Jugosllavia. Ne ende nuk jemi në Evropë, japim zakon Evropian. Ku është kjo vetëm në Maqedoni, përse aj paguan tatim për shtetin”. – Tha një qytetar.

“Unë mendoj se nuk duhet, por duhet kafenetë të kenë ventilim të mirë, ashtu që të mos pengojë për të tjerët që nuk janë duhanpirës”.

“Po, për arsye që ka njerëz që nuk janë duhanpirës dhe pengon për ata njerëz, duhet të ketë vende veçmas për duhan dhe antiduhanpirësit të pak më mirë.”

Ligji anti duhan është propozuar nga Ministria e Shëndetësisë.

Ligji ka arritur në leximin e dytë në Komisionin për shëndetësi, kurse gjatë procedurës parlamentare, propozim-ligji ka pësuar disa ndryshime krahasuar me versionin fillestar, i cili u prezantua si dukshëm më restriktiv. Në vend të ndalimit të plotë të pirjes së duhanit në objektet e gastronomisë, parashikohen tarraca të veçanta ku do të lejohet pirja e duhanit. Ato duhet të jenë të hapura nga të paktën dy anë dhe me çati të hapur, ndërsa do të parashikohet edhe hyrje e veçantë për joduhanpirësit. Për përshtatjen e tarracave është paraparë afat prej një viti.

Ndalimi i plotë do të vlejë për hapësirat e mbyllura, stacionet e autobusëve dhe hekurudhave, si dhe në automjete kur në to ndodhet fëmijë. Para institucioneve të caktuara, pirja e duhanit do të lejohet vetëm në distancë prej të paktën 20 metrash.

Ligji rregullon përdorimin, ndërsa nuk ndalon prodhimin, importin, eksportin dhe shitjen e produkteve të duhanit dhe pajisjeve elektronike./Alsat.mk