Në bazë të raportit të publikuar nga Projekti Botëror për Drejtësi (WJP), Maqedonia e Veriut ka shënuar rënie në Indeksin e Sundimit të Ligjit për vitin 2026. Sipas indeksit, vendi renditet në pozitën e 65-të nga gjithsej 143 shtete, me rezultat 0,54, një vend më poshtë krahasuar me vitin e kaluar, kur ishte në vendin e 64-të. Në rezultat, dobësitë më të theksuara vërehen në luftën kundër korrupsionit, kontrollin parlamentar dhe gjyqësor mbi pushtetin ekzekutiv, si dhe në kohëzgjatjen e procedurave gjyqësore.
Në kategorinë e luftës kundër korrupsionit, Maqedonia e Veriut renditet në vendin e 71-të, ndërsa për zbatimin e ligjeve dhe rregullave pozicionohet në vendin e 95-të. Në anën tjetër, vendi ka rezultate më të mira në kategoritë që lidhen me të drejtat themelore dhe kufizimin e pushtetit qeveritar.
TABELË: PROJEKTI BOTËROR PËR DREJTËSI
“Rezultatet e indeksit tregojnë sfidat me të cilat vazhdon të përballet sistemi i drejtësisë në Maqedoninë e Veriut, veçanërisht në aspektin e transparencës, llogaridhënies dhe efikasitetit. Gjithashtu, në rezultatet e indeksit shihet se, situata rëndohet edhe nga mungesa e kuadrit në gjykata dhe prokurori, si dhe nga rastet e korrupsionit të nivelit të lartë që rrallë përfundojnë me vendime gjyqësore të formës së prerë”
Sa i përket rendit dhe sigurisë, Maqedonia e Veriut renditet në vendin e 43-të. Megjithatë, edhe në këtë kategori është evidentuar një trend rënës që nga viti 2022.
Në krahasim me vendet e rajonit, Mali i Zi dhe Kosova kanë pozita më të mira se Maqedonia e Veriut. Shqipëria renditet në vendin e 91-të, ndërsa Serbia në vendin e 95-të./SHENJA/
