Milioneri më i ri në Maqedoninë e Veriut është një fëmijë katërvjeçar, i cili gjatë vitit 2025 ka fituar një milion denarë nga të ardhurat nga aksionet. Personi më i moshuar me të ardhura më të mëdha të regjistruara është një pensionist 97-vjeçar. Këto janë disa nga të dhënat e Drejtorisë së të Ardhurave Publike për të ardhurat e qytetarëve gjatë vitit të kaluar.
Gjatë vitit 2025 janë përgatitur mbi 863 mijë deklarata vjetore tatimore, 10.6 për qind më shumë se në vitin paraprak. Numri më i madh i tyre është regjistruar në Shkup, ndërsa pasojnë Shtipi, Prilepi, Manastiri, Tetova dhe Strumica. Sipas DAP-it, paga më e lartë bruto ka arritur në 139.1 milionë denarë në vit, ose mbi 2.2 milionë euro. Kjo pagë ëhstë paguar në sektorin e nxjerrjes së qymyrit. Ndërkohë, dividenti më i lartë ka qenë 252.6 milionë denarë. Fitimi më i lartë kapital ka arritur në 164.2 milionë denarë, ndërsa të ardhurat nga vetëpunësimi në 157.9 milionë denarë. Kur mblidhen të gjitha burimet e të ardhurave, qytetari nga Gjevgjelia kryeson me 257 milionë denarë, i ndjekur nga një qytetar nga Ohri me 254 milionë denarë. Pesë pagat më të larta vjetore kanë kaluar nga dy milionë euro bruto dhe janë paguar në Shkup në sektorët e farmacisë, tregtisë së duhanit, ushqimit dhe pijeve, si dhe shëndetësisë. Përveç pagës, një banor i Shkupit ka raportuar pothuajse dy milionë euro bruto nga burime të tjera të të ardhurave. Të ardhurat bruto të përcaktuara për vitin 2025 janë rritur për 13.8 përqind krahasuar me vitin paraprak, ndërsa tatimi i përcaktuar mbi të ardhurat personale është rritur për 13.9 përqind. Shifrat tregojnë rritje të të ardhurave të raportuara por nuk tregojnë se sa të barabartë janë qytetarët në përfitimin e tyre./Alsat.mk.
