Një protestë që duket si një “fushë betejë” po ndodh në Tiranë. Përplasja mes policëve dhe studentëve është shumë e fortë, teksa nuk mungojnë edhe incidentet. Raportohet për disa të lënduar.
Protestuesit mësynë ambientet e Komisariatit nr. 3 të Policisë, të cilit i është vënë flaka.
Tre efektivë policie kanë mbetur të lënduar pas sulmit ndaj Komisariatit. Menjëherë në vendin e incidentit kanë mbërritur forca të shumta policie dhe një automjet zjarrfikës ndërsa zjarri është vënë nën kontroll të plotë. Situata u paraqit e rëndë, pasi në këtë komisariat ndodhen edhe ambiente paraburgimi.
Situata u agravua pranë Bllokut të Ministrive, mes policisë dhe protestuesve.
Protestuesit kanë hedhur bomba molotov mbi uniformat blu, ku njëri nga efektivët ka marrë flakë dhe i është dhënë menjëherë ndihma nga kolegët për shuarjen e flakëve.
Ndërkohë, policia është përgjigjur menjëherë me ujë dhe gaz lotsjellës, duke arritur të fitojë përkohësisht terren.
Më herët protestuesit ndaluan para selisë së Partisë Socialiste, ku kanë sulmuar godinën me gurë, duke goditur edhe pjesën e derës dhe duke thyer xhamat. Nga selia e Partisë Socialiste kanë dalë njerëz me maska dhe me hunj dhe kanë marrë hov në drejtim të protestuesve dhe gazetarëve./Alsat.mk
