Ministria e Punëve të Brendshme informon qytetarët se gjatë periudhës së kaluar është vërejtur një dukuri e sulmeve të “phishing” porosive, të cilat kryhen përmes mesazheve të rreme, postës elektronike, faqeve të internetit, aplikacioneve mobile dhe mesazheve në rrjetet sociale.
Mesazhet e rreme pretendohet se vijnë nga Departamenti i Komunikacionit, si njoftim nga sistemi “Safe City” dhe në to është vendosur një link i rremë, përmes të cilit qytetarëve u kërkohet të kryejnë pagesë për një kundërvajtje të paqenë në trafik.
“Ju bëjmë apel qytetarëve që të jenë të kujdesshëm gjatë përdorimit të internetit, të mos hapin lidhje dhe mesazhe të dyshimta, të mos ndajnë kurrë të dhëna personale si numrat e kartelave bankare, fjalëkalimet ose identifikuesit personalë përmes kanaleve të paautorizuara. Të raportojnë mesazhet e dyshimta pranë institucioneve kompetente ose në bankën përkatëse”, thonë nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Gjithashtu nga MPB thonë se njoftimet SMS për kundërvajtje të kryer duhet të jenë nga dërguesi “MVR-SC”.
Teksti duhet patjetër të përmbajë targën e automjetit që ka kryer kundërvajtjen dhe një link konkret nga “Safe City”.
Ministria e Brendshme thotë se është duke hetuar të gjitha pretendimet e tilla.
