Drejtori i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike Dhimitraq Ziu, në një deklaratë publike te premten deklaroi se deri tani, në Tiranë janë arrestuar 127 persona, ndërsa janë proceduar në gjendje të lirë 244 të tjerë.
Drejtuesi i lartë i policisë tha gjithashtu ‘se nga strukturat e Hetimit të Krimit Kibernetik dhe Antiterrorit janë identifikuar disa kanale dhe grupe komunikimi, nëpërmjet të cilave janë shpërndarë mesazhe me përmbajtje të drejtpërdrejtë kriminale’ dhe ‘thirrje për kryerje të akteve ekstreme dhe terroriste’.
‘Përveç ngjarjeve në terren, strukturat e specializuara të Hetimit të Krimit Kibernetik dhe Antiterrorit kanë marrë në shqyrtim të menjëhershëm hapësirën virtuale, ku gjatë monitorimeve intensive, janë identifikuar disa kanale dhe grupe komunikimi, nëpërmjet të cilave janë shpërndarë mesazhe me përmbajtje të drejtpërdrejtë kriminale, ndër to, thirrje për kryerje të akteve ekstreme dhe terroriste, si dhe kërcënime direkte kundër jetës së punonjësve të Policisë së Shtetit.
Lidhur me këtë situatë është regjistruar menjëherë procedimi penal përkatës për veprat e lidhura me këto veprime kriminale tejet të rrezikshme, dhe po bashkëpunojmë ngushtësisht me agjencitë partnere ndërkombëtare për zbulimin e adresave IP, identifikimin e administratorëve të këtyre kanaleve dhe të çdo përdoruesi që bën thirrje për dhunë dhe akte terroriste.
Përdorimi i rrjeteve sociale nëpërmjet llogarive anonime nuk duhet dhe nuk do të lejohet t’i shërbejë rrymave apo shtetasve me prirje terroriste, ekstremiste dhe të dhunshme, brenda dhe jashtë vendit, të cilët janë aktualisht në një proces hetimor tejet të detajuar dhe konfidencial, për të vlerësuar qëllimet dhe veprimet e tyre destabilizuese, si dhe të rrezikshme për shoqërinë dhe të ardhmen e vendit.
Gjithashtu, Policia e Shtetit shpreh keqardhjen për përhapjen e lajmeve të pavërteta dhe dashakeqe që synojnë të shfrytëzojë ndjenjat nacionaliste për të krijuar klimë konfliktuale dhe për të cenuar besimin e qytetarëve te Policia e Shtetit.
Drejtuesi i lartë i policisë Dhimitraq Ziu tha në një deklaratë për mediat se 127 persona janë arrestuar nga policia gjatë 4 ditëve të protestës në Tiranë me akuzat e shkatërrrimit të pronës dhe kundërshtim të policisë’, tha Ziu.
