Tensionet para Kuvendit të Kosovës janë përshkallëzuar më shumë, ku protestuesit janë përplasur me Policinë e Kosovës, pas moshedhjes në votim për lexim të dytë të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Protestuesit kanë vazhduar të hedhin mjete piroteknike në drejtim të objektit të Kuvendit, ndërsa Policia është kundërpërgjigjur me gaz lotsjellës, duke i zmbrapsur protestuesit nga zona pranë ndërtesës.
Forca të shtuara policore vazhdojnë të qëndrojnë përreth oborrit të Kuvendit, ndërsa protestuesit kanë mbetur të grumbulluar në afërsi të objektit.
Për shkak të përdorimit të gazit lotsjellës, disa protestues janë parë me maska mbrojtëse në fytyrë, ndërsa situata vazhdon të jetë e tensionuar.
Ndërkohë, rruga “Agim Ramadani”, pranë Kuvendit, vazhdon të jetë e bllokuar nga protestuesit.
Në këtë pjesë janë vendosur edhe kontejnerë të mbeturinave, disa prej të cilëve janë përfshirë nga zjarri.
Për momentin, situata në zonën përreth Kuvendit mbetet e tensionuar, ndërsa Policia vazhdon të jetë e pozicionuar në numër të shtuar përreth objektit.

Tensionohet situata para Kuvendit, hidhen fishekzjarre dhe gaz lotsjellës
Situata është tensionuar mbrëmjen e së hënës para Kuvendit të Kosovës, ku protestuesit e mbledhur në mbështetje të miratimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara janë afruar te barrierat policore të vendosura në hyrje të objektit.
