Mungojnë tekstet shkollore, Ministria shmang përgjegjësinë

Edhe pse viti i ri shkollor tashmë një muaj ka filluar, në disa klasa ende mungojnë tekste shkollore. Një pjesë e nxënësve thonë se librat që kanë marrë janë të dëmtuar, të grisur ose me shënime të nxënësve të viteve të kaluara.

“Jam klasa e shtatë, më mungon libri I maqedonishtes. Gjithë klasës mungon gjuha maqedone? Po. I keni bë fotokopje? Jo, ende si kemi bë fotokopje, po presim t’i marrim librat,”tha një nxënëse.

“Të gjitha librat i kemi marr. Në çfarë gjendje ishin librat? Të grisura, të  shkruara. Vetëm një libër e kam bë fotokopje, librin e anglishtes,” tha një nxënëse tjeter.

“I morëm të gjitha librat. Ishin të shkruara, të grisura, libri I Historisë ishte shumë i dëmtuar”. Deklaroi nxënësja.

Gjithashtu, ka edhe nxënës që thonë se nuk kanë hasur probleme me tekstet shkollore, duke theksuar se i kanë marrë të gjitha dhe se librat janë të rinj dhe në gjendje të mirë.

“A të mungon ndonjë libër? Jo, të gjitha janë të reja dhe të mira,” tha një nxënës.

Sedat Koka, pronar i një librarie të qytetit tha se kërkesat për fotokopjime ende vazhdojnë, edhe pse janë më të vogla krahasuar me fillimin e vitit shkollor. Sipas tij, librat e gjuhës shqipe dhe matematikës për ciklin e ulët fillor këtë vit janë kërkuar më shumë për t’u fotokopjuar.

“Kërkesa ende vazhdon, normalisht kërkesa është më e vogël. Mungesa më e madhe e librave ka qenë të klasa e katërt dhe e pestë. Te klasa e katërt dhe e pesta ka munguar matematika dhe gjuha shqipe. Gjuha shqipe dhe matematika gjatë javës ka orë më shumë, ato libra përdoren më shumë dhe grisen, dëmtohen. Për këtë shkak ato libra, edhe matematika ka disa detyra që duhet të punohen brenda në libër, për këtë arsye I fotokopjojnë që të jenë të pastërta që fëmijët të kenë mundësi ti punojnë detyrat”. – Sedat Koka, pronar librarie.

Nga  Ministria e Arsimit thonë se janë shpërndarë të gjitha tekstet shkollore në sasinë e kërkuar nga shkollat. Rastet e mungesave që ende paraqiten nuk janë rezultat i mosshpërndarjes së librave nga Ministria, por i menaxhimit jo të duhur nga drejtuesit e shkollave gjatë procesit të porositjes së teksteve./Alsat.mk