41 mijë hektarë të djegura, zjarret i kushtojnë miliona euro vendit

Sezoni i zjarreve këtë vit la pas vetës dhjetëra mijëra hektarë sipërfaqe të djegur, dëme që llogariten në miliona euro dhe dhjetëra raste nën hetim për zjarrëvënie të qëllimshme.

Sipas të dhënave, në vitin 2026 janë evidentuar rreth 41 mijë hektarë sipërfaqe të djegura. Nga ana tjetër, Ndërmarrja Publike Pyjet Kombëtare deri në fund të korrikut ka regjistruar 138 zjarre në zona pyjore, ndërsa dëmet deri në atë periudhë vlerësoheshin në më shumë se 4 milionë euro.

Sezoni i zjarreve vazhdoi edhe në muajin gusht ndërsa dëmet ende nuk janë llogaritur pasi zjarre kishim edhe në muajin shtator për shkak të temperaturave të larta.

”Këtë vit deri në muajin korrik kishim 138 zjarre. Në muajin shtator ky numër do të arrije deri në 150 zjarre që do të thotë se vitin do e mbyllim me këtë numër.(5:01 – 5:26)”Këtë vit deri në muajin e shtatë, dëmi ka kaluar mbi katër milion euro por duke mos llogaritur edhe zjarret e mëdha që nuk janë llogaritur siç ishte ai në Kitkë i cili ishte një nga zjarret më të mëdhenj këtë vit.” – Kire Mihailov – Zëvendës drejtor i Ndërmarrjes Publike Pyjet Kombëtare.

Deri në fund të gushtit, 30 persona janë ndaluar si të dyshuar për zjarrëvenie të qëllimshme.

”Nga informata që e kam, më shumë se 30 persona në vitin 2026, ishin të ndaluar nga policia nën dyshimin se janë piromanë. Procedurat janë në vijim dhe gjykata dhe prokuroria e vazhdojnë procedurën por ky numër është numër serioz.” – Kire Mihailov – Zëvendës drejtor i Ndërmarrjes Publike Pyjet Kombëtare.

Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Revizionit, vetëm gjatë viteve 2023 dhe 2025, në pyjet e vendit tonë janë djegur më shumë se 82 mijë hektarë tokë dhe mbi 914 mijë metra kub dru.

Dëmet për këtë periudhë janë vlerësuar në rreth 133 milionë euro. Viti më i vështirë sipas statistikave ishte viti 2024 ku dëmet janë vlerësuar në mbi 83 milionë euro./Alsat.mk