Ish-komandanti i NATO-s gjatë luftës në Kosovë, gjenerali Wesley Clark, ka shprehur kritika ndaj procesit gjyqësor në Dhomat e Specializuara në Hagë dhe ka kërkuar që Hashim Thaçi dhe ish-krerët e tjerë të UÇK-së të kthehen në Kosovë.
Në një intervistë për Klan News, Clark tha se gjatë periudhës së luftës kishte takuar dy herë Thaçin, por sipas tij, ai nuk ishte personi që drejtonte drejtpërdrejt operacionet ushtarake, transmeton lajmi.net.
“Asnjëherë nuk më janë treguar prova për atë që mund të kishte bërë Thaçi. Unë e kam takuar dy herë Hashim Thaçin gjatë konfliktit në Kosovë. Ai nuk ishte udhëheqësi, Agim Çeku ishte drejtuesi”, deklaroi Clark.
Ai tha se Thaçi nuk kishte kontroll të përditshëm mbi atë që ndodhte në terren gjatë luftimeve.
Clark e kritikoi gjithashtu mënyrën se si, sipas tij, është trajtuar përgjegjësia penale në procesin gjyqësor në Hagë.
“Vendimi është ofendues”, tha ai, duke shtuar se gjatë dëshmisë së tij në Hagë ishte ndërprerë kur kishte ngritur një krahasim lidhur me rebelimet dhe përgjegjësinë për vrasjet.
Ish-gjenerali amerikan tha se, në këndvështrimin e tij, Thaçi është “viktimë” e një procesi të gabuar.
“Europa duhet të respektojë popullin e Kosovës, që luftuan për parimet. Millosheviçi ka qenë përgjegjës. Ai ishte një person që donte të promovonte spastrimin etnik. Hashim Thaçi është viktimë dhe kjo është gabim”, u shpreh Clark.
Ai pretendoi se kishte kërkuar të shihte prova lidhur me akuzat ndaj Thaçit, por tha se nuk kishte parë prova të tilla.
“Unë kam kërkuar provat, dhe nuk kishte prova. Të paktën në dijeninë time”, deklaroi ai.
Clark bëri edhe një krahasim mes Dhomave të Specializuara dhe Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, duke thënë se ky i fundit, sipas tij, ishte bazuar në prova për krimet e kryera gjatë luftërave në ish-Jugosllavi.
Në fund, ish-gjenerali amerikan kërkoi që procesi ndaj ish-krerëve të UÇK-së të marrë fund dhe ata të kthehen në Kosovë.
“Mendoj se gjykata ka marrë fund. Le të rikthejmë Hashim Thaçin dhe të tjerët në Kosovë, dhe të kthehen në jetën e tyre. Të ecim përpara. Hashim Thaçi ka kaluar 5 vite në paraburgim. Mjaft me kaq”, tha Clark.
I pyetur nëse do të ishte i gatshëm të dëshmonte në procesin e apelit në favor të ish-krerëve të UÇK-së, Clark tha:“Do e vlerësoja shumë nëse do më ftonin për të shpjeguar se çfarë ndodhi”.
