BORXHET PO MBETEN PAS: STRUGA SHLYEN MBI 1.5 MILION EURO DHE HAP RRUGËN PËR INVESTIME

Komuna e Strugës ka shlyer mbi 1.5 milion euro detyrime të akumuluara ndër vite, duke ndërmarrë një nga hapat më të rëndësishëm drejt sanimit të financave komunale dhe krijimit të hapësirës për investime të reja në shërbim të qytetarëve.
– 570 000 euro u paguan në marrëveshje të drejtpërdrejtë me kreditorët
– 200 000 janë kamata që u falën nga kreditorët
– 750 000 u paguan në përbarim përmes mekanizmit “nga borxhliu te borxhliu”

Me iniciativë të kryetarit të Komunës së Strugës, Mendi Qyra, që nga janari deri në shtator të këtij viti është zhvilluar një proces intensiv për identifikimin, negociimin dhe shlyerjen e detyrimeve të vjetra të Komunës.

Bëhet fjalë për borxhe të krijuara dhe të akumuluara ndër vite, disa prej të cilave datojnë që nga viti 2007, të cilat për një kohë të gjatë kanë rënduar buxhetin komunal, kanë kufizuar mundësinë për realizimin e projekteve të reja dhe kanë krijuar një barrë të vazhdueshme financiare për institucionin.

570 mijë euro borxhe të vjetra u shlyen me marrëveshje direkte me kreditorët
“Sot kemi një mesazh të qartë për qytetarët: financat e Komunës po sanohen dhe borxhet e akumuluara ndër vite po shlyhen. Këto janë detyrime që kanë rënduar financat e Komunës për vite me radhë dhe kanë kufizuar projektet në dobi të qytetarëve.

Kemi marrë listat e detyrimeve dhe kemi nisur nga borxhet më të vjetra. Kemi kontaktuar kreditorët dhe, përmes marrëveshjeve të drejtpërdrejta, kemi arritur që të shlyejmë një pjesë të konsiderueshme të tyre. Shumae totale shkon deri në 570 000 euro”, deklaroi kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra.

200 mijë euro kamata të falura, besimi dhe gatishmëria për marrëveshje sollën lehtësim real për buxhetin e Komunës
Një nga rezultatet më të rëndësishme të këtij procesi është se, përmes negociimeve dhe marrëveshjeve të drejtpërdrejta me kreditorët, Komunës së Strugës i janë falur rreth 200 mijë euro kamata.
Ky rezultat përfaqëson një lehtësim të drejtpërdrejtë për financat komunale dhe tregon se dialogu, transparenca dhe gatishmëria për të gjetur zgjidhje të përbashkëta mund të sjellin rezultate konkrete.
Komuna e Strugës shpreh mirënjohje për të gjithë kreditorët, personat fizikë dhe juridikë, si dhe për të gjithë ata që besuan në këtë proces dhe treguan mirëkuptim e gatishmëri për bashkëpunim. Kontributi i tyre ka qenë i rëndësishëm në lehtësimin e procesit të shlyerjes së borxheve dhe në krijimin e një situate më të qëndrueshme financiare për Komunën.
780 mijë euro të shlyera përmes mekanizmit “nga borxhliu te borxhliu”
Një mekanizëm tjetër i vendosur në funksion gjatë muajit të fundit është modeli “nga borxhliu te borxhliu”.

Përmes këtij mekanizmi, në vend që detyrimet të mbeten të bllokuara në zinxhirin financiar, ato shlyhen drejtpërdrejt përmes subjekteve juridike që njëkohësisht kanë detyrime ndaj Komunës.

Vetëm përmes këtij mekanizmi deri më tani janë shlyer rreth 780 mijë euro detyrime, duke krijuar lëvizje reale të mjeteve në sistem dhe duke ulur ndjeshëm barrën e borxheve të vjetra.

Struga po e kthen faqen
Çdo borxh i vjetër i shlyer do të thotë më pak barrë mbi buxhetin e Komunës, më pak kufizime dhe më shumë hapësirë për të planifikuar dhe realizuar projekte të reja.

Qëllimi i procesit është i qartë: të pastrohen detyrimet e së kaluarës, të stabilizohen financat dhe të krijohet një bazë e shëndoshë financiare për Strugën e së ardhmes.

Struga nuk mund të zhvillohet duke bartur pafundësisht borxhet e së kaluarës.

Borxhet po shlyhen. Financat po sanohen. Hapësira për zhvillim po krijohet.

Ky është ndryshimi nga një komunë që vetëm menaxhon problemet e së kaluarës, në një komunë që fillon të krijojë kapacitet për të investuar në të ardhmen.