Kryetari i BDI‑së, Ali Ahmeti, ka përkujtuar sot 28‑vjetorin e rënies së Fehmi dhe Xhevë Lladrovcit, duke i cilësuar si simbol të brezit që nuk kurseu asgjë për lirinë e Kosovës.
Ahmeti ka theksuar se Fehmi Lladrovci ishte për të shok i ngushtë, bashkëmendimtar, bashkëveprimtar dhe bashkëluftëtar, me të cilin ndau rrugën e gjatë të përpjekjes për liri shumë kohë para krijimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. “Fehmiu dhe Xheva ishin pjesë e asaj gjenerate të veprimtarëve të lëvizjes kombëtare që nuk u pajtua kurrë me robërinë. Ata i shërbyen këtij ideali para luftës, në luftë dhe deri në rënien e tyre heroike”, ka shkruar Ahmeti.
Ai ka rikujtuar betejën e Drenicës më 22 shtator 1998, ku Fehmiu dhe Xheva ranë krah për krah, duke mbetur përgjithmonë simbol i sakrificës për Kosovën. “Vëlla Fehmi, 28 vjet pas rënies sate, më mungon njësoj. Por kujtimi për ty dhe Xhevën është i përjetshëm. Pushoni të qetë, vëlla Fehmi e motër Xhevë. Flamuri për të cilin dhatë jetën sot valon i lirë. Lavdi e përjetshme!”, ka përfunduar Ahmeti.
