Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha nga SHBA-ja se Qeveria është e përkushtuar që të ofrojë mbështetje, në çdo mënyrë dhe me të gjitha mjetet që i ka në dispozicion, me qëllim korrigjimin e verdiktit të Dhomave të Specializuara ndaj ish krerëve të UÇK-së, i cili është i padrejtë juridikisht dhe moralisht dhe i pasaktë historikisht dhe faktikisht.
“Një dakordim mbi një strategji shtetërore për reagim sa më të përshtatshëm dhe efikas ndaj verdiktit të shkallës së parë, si në ndihmën e ekipeve në instancat e apelit, ashtu edhe në rrafshin diplomatik, është i nevojshëm. Do të bashkëpunojmë me aleatët tanë ndërkombëtarë, do të angazhohemi pandërprerë në mbrojtjen e luftës sonë çlirimtare përballë propagandave të Serbisë dhe, njëkohësisht, në zbardhjen e masakrave dhe krimeve të tjera të Serbisë në Kosovë, të cilat Beogradi zyrtar, mbi 27 vjet pas përfundimit të luftës, po përpiqet akoma t’i fshehë.” – Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës
- Strategji shtetërore për reagim të përshtatshëm dhe efikas
- Ndihmë ekipeve në instancat e apelit
- Bashkëpunim me aleatet ndërkombëtar për mbrojtjen e luftës çlirimtare
Me thirrjet “Liria ka emër”, “Jo në emrin tim” dhe “Liri për çlirimtarët e Kosovës” një numër i madh i shqiptarëve protestuan sot në kryeqytetin e Austrisë, Vjenë, për të kundërshtuar vendimin e Gjykatës Speciale ndaj katërshes së UÇK-së.
Protesta të ngjashme ka pasur edhe në Nju-Jork, Kanada, Zvicër dhe Gjermani. Në Kosovë po protestohet çdo natë që nga dita e shpalljes së dënimeve. Ndërkohë Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës ka bërë thirrje për pjesëmarrje në marshin paqësor që do të mbahet nesër. /Alsat.mk
