Shkup – Këshilltarët e koalicionit Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI) në Këshillin e Qytetit të Shkupit deklarojnë se opozitarizmi nuk matet me deklarata politike, por me iniciativa konkrete dhe rezultate në interes të qytetarëve informon Tetovasot.
Sipas AKI-së, përmes angazhimit të tyre është arritur korrigjimi i tabelës në hyrjen lindore të Shkupit, ku mungonte gjuha shqipe, legalizimi dhe sinjalizimi i vendkalimit në Bit Pazar, si dhe ruajtja e mjeteve buxhetore për ndërtimin e Bulevardit “Hasan Prishtina”, të cilat, sipas tyre, rrezikonin të ridestinoheshin për projekte të tjera.
AKI njofton se ka dorëzuar shtatë amendamente që kanë të bëjnë me Çairin, Sarajin, Nerezin e Epërm, pacientët onkologjikë, personat me nevoja të veçanta, shkollat e dëmtuara nga stuhia dhe ndërtimin e një parkingu montazh në Çair.
Sipas tyre, këto propozime u mbështetën nga këshilltarët e AKI-së dhe disa këshilltarë të partive të tjera, ndërsa akuzojnë VLEN-in se nuk i votoi projektet.
“Kur bëhet fjalë për deklarata, VLEN është gjithmonë i pranishëm. Kur kërkohet votë konkrete për Çairin dhe komunat përreth, VLEN mungon dhe nuk voton,” thuhet në reagim.
AKI thekson se si rezultat i punës së tyre janë siguruar edhe hapja e bibliotekave në shkollat e mesme të Sarajit dhe Çairit, si dhe projektimi i vazhdimit të rrjetit të ujësjellësit në Nerez të Epërm.
Në reagim ngrihet shqetësimi edhe për përfaqësimin e shqiptarëve në organet drejtuese të Qytetit të Shkupit. Sipas AKI-së, nga 139 anëtarë të bordeve drejtuese dhe mbikëqyrëse të ndërmarrjeve dhe institucioneve publike të qytetit, vetëm 23 janë shqiptarë, ose rreth 15 për qind, ndërsa në disa borde nuk ka asnjë përfaqësues shqiptar.
AKI paralajmëron se do të kërkojë korrigjimin e kësaj gjendjeje, ndërsa shpreh gatishmëri për të mbështetur çdo projekt që e konsideron në interes të qytetarëve, përfshirë rrethrrotullimin dhe urën në Saraj me lidhje drejt autostradës.
Në fund, këshilltarët e AKI-së theksojnë se do të vazhdojnë të veprojnë përmes propozimeve, votës dhe angazhimit institucional për mbrojtjen e interesave të qytetarëve.
Reagimi i plote:
Këshilltarët tanë në kuadër të koalicionit Aleanca Kombëtare për Integrim në Qytetin e Shkupit çdo ditë po e vërtetojnë se opozitarizimi nuk bëhet dhe nuk matet vetëm me deklarata, por me propozime, kërkesa konkrete në interes të qytetarëve, me presion institucional, punë të vazhdueshme dhe rezultate konkrete.
Sot para jush po shpalosim disa nga rezultatet e arritura falë punës, angazhimit dhe përkushtimit tonë.
Si këshilltarë opozitarë kërkuam korigjimin e tabelës në hyrjen lindore të Shkupit, ku mungonte gjuha shqipe. Kryetari e pranoi publikisht këtë lëshim dhe u zotua se tabela do të rregullohet.
Kërkuam zgjidhje për vendkalimin në Bit Pazar. Pas analizave dhe konsultimeve, ai do të legalizohet dhe do të pajiset me sinjalistikë adekuate dhe semafor përkatës.
Një prej betejave tona kryesore ishte Bulevardi “Hasan Prishtina”. Pas reagimit dhe presionit tonë, mjetet e dedikuara për këtë bulevard mbeten në buxhet dhe nuk do të ridestinohen për projekte të tjera.
Dorëzuam shtatë amandamente për Çairin, Sarajin, Nerezin e Epërm, pacientët onkologjikë, personat me nevoja të veçanta dhe shkollat e dëmtuara nga stuhia.
Poashtu, për parkingun montazh në “Çairçanë”.
Këto u votuan nga këshilltarët e AKI-së dhe këshilltarëve të caktuar nga partitë tjera.
VLEN nuk votoi. Nuk pati votë për projekte në interes të qytetarëve shqiptarë!
Kur bëhet fjalë për deklarata, VLEN është gjithmonë i pranishëm.Kur kërkohet votë konkrete për Çairin dhe komunat tjera përreth, VLEN si gjithmonë mungon. Heshtë. Nuk voton.
Nga puna jonë u arrit që:
-Të hapen biblioteka në kuadër të shkollave të mesme në Saraj dhe Çair.
-Të projektohet vazhdimi i ujësjellësit në Nerez të Epërm.
Nga ana tjetër, është e pranishme edhe një situatë me të cilën duhet të njihet çdo shqiptar në Shkup:
Të nderuar,
Nga 139 anëtarë të bordeve drejtuese dhe mbikëqyrëse të ndërmarrjeve dhe institucioneve të Qytetit, vetëm 23 janë shqiptarë, pra rreth vetëm 15%.
Në disa borde, madje, nuk ka asnjë shqiptar. Zero.
Ky nuk është përfaqësim i drejtë dhe adekuat. Ne do të kërkojmë korrigjimin e menjëhershëm të kësaj gjendjeje.
Në të njëjtën kohë, do të mbështesim çdo projekt të mirë, siç janë rrethrrotullimi dhe ura në Saraj me lidhje drejt autostradës.
Ne, si këshilltarë të AKI-së do të vazhdojmë të kërkojmë atë që u takon qytetarëve me punë, me propozime dhe me votë.Do të jemi gjithmonë pranë qytetarëve, duke dëgjuar zërin e tyre, duke mbrojtur interesat e tyre dhe duke punuar për zgjidhje të drejta e të qëndrueshme.
