Në shtator rriten pensionet në Maqedoni

Screenshot

Pensionistët në Maqedoninë e Veriut në shtator pritet të përfitojnë një rritje të re të pensioneve, e cila këtë herë duhet të jetë në përqindje dhe varet nga lartësia e të ardhurave mujore, përcjell TV21. Pas disa rritjeve lineare gjatë periudhës së kaluar, kur pensionet u rritën me të njëjtën shumë, harmonizimi i radhës pritet të llogaritet në përqindje. Kjo do të thotë se pensionistët nuk do të marrin të njëjtën rritje në denarë, pensioni më i lartë do të nënkuptojë edhe shumë më të madhe të rritjes.

Përqindja e saktë ende nuk është përcaktuar zyrtarisht, pasi për llogaritjen përfundimtare duhet të dihen treguesit përkatës ekonomikë.

Harmonizimi i ri vjen pas rritjes së konsiderueshme të pensioneve në periudhën e kaluar. Nga shtatori 2024 deri në mars 2026, sipas të dhënave të Fondit Pensional, rritja totale lineare ka arritur në rreth 7.000 denarë.

Rritja shtesë vjen në një periudhë të shpenzimeve të larta për ushqim, fatura, ilaçe dhe nevoja të tjera të përditshme, veçanërisht për familjet ku pensioni përbën burimin kryesor të të ardhurave. Sa do të marrë saktësisht secili pensionist do të bëhet e ditur pasi të përcaktohet dhe publikohet përqindja përfundimtare e harmonizimit. Pensioni i shtatorit, në të cilin pritet të përfshihet rritja e re, do të paguhet në tetor.